ZANORJA Ë E THEKSUAR
§3
Shkruhen me ë të gjitha fjalët te të cilat kjo zanore e theksuar i përgjigjet historikisht një a-je të ndjekur nga një bashkëtingëllore hundore. Me ë shkruhen edhe të gjitha fjalët e prejardhura ose të përbëra, të formuara prej tyre, pavarësisht nga lëvizja e theksit: bëj, çështje, dëm, dëmtoj, dhëmb, dhëmballë, dhëndër, (kam) dhënë, dhënie, e ëma, (i, e) ëmbël, ëmbëlsi, ëndërr, ëndje, frëngjisht, gërshërë, gojëdhënë, gjë, gjëmë, gjëndërr, hënë, këmbë, këmbësor, kënd, i këndshëm, këngë, këngëtar, lë, lëmë, lëndë, lëng, llërë, mbrëmje, më (pak), (s'dua) më, mëngë, mëz, nëmë, nëntë, nëntor, (kam) ngrënë, nxë, nxënës, një, (i, e) njëjtë, njëri, njëra, njëri-tjetri, njësi, përzë, shkëmb, shtatzënë, shullë, (i, e) tërë, tërësi, tërshërë, (shtëpinë) tënde, (kam) thënë, parathënie, thëllëzë, zë (zëri), zë, (kam) zënë etj.
1) Nuk përfshihen këtu ato fjalë që në gjuhën letrare në trajtën me a, e cila nuk është më hundore: dhanore, (i, e) mangët, ranishte, shmang, zanë, zanore etj.
§ 4
Shkruhen me ë fjalët me prapashtesën -llëk: bollëk, budallallëk, gomarllëk, hamallëk, pazarllëk etj.
ZANORJA Ë E PATHEKSUAR
ë-ja paratheksore
§ 5
ë-ja paratheksore shkruhet në këtë raste:
a) në fjalët e parme e në të gjitha fjalët ku ajo i takon rrokjes së parë, si edhe në fjalët e formuara prej tyre: argëtoj, bagëti, bërryl, dëgjoj, dënesë, dëshirë, fëlliq, fëmijë, gëmushë, gërryej, qëzof, gëzhojë, gogësij, gumëzhij, gjëmoj, hingëllin këlysh, këmishë, kënaq, këndellem, këndoj, kënetë, këpucë, këpucar, këpushë, këput, të këqij, kërcej, kërrab, kërrusem, këshill, kushëri, lëkurë, lëmoshë, lëndoj, lëpij, lëpjetë, lëpushkë, lëshoj, mallëngjej, të mëdhenj, mëkat, mënyrë, mësoj, mësim, mëshoj, mushkëri, ndërroj, ndërresë, shndërroj, pagëzoj, pagëzim, pëllet, pëllëmbë, pëllumb, përrallë, pështjelloj, pështyj, psherëtij, qëroj, rrëfanë, rrëfim, shëllirë, shëmtoj, shëtit, tëhu, trashëgoj, thëllëzë, thërres, thërrime etj.; dëboj, dëborë, dëlir, (i, e) dëlirë, dërrasë, gëzoj, kësaj, kësisoj, kësodore, kështu, këta, këtë, këtij, (i, e) këtillë, këtej, këtu, lëfyt, lëkund, i lëkundshëm, lëmekem, lëvozhgë, mëditje, mësyj, mësymje, sëmundje, shpëlaj, tëharr, tëholl etj.*
*Shkruhen pa ë fjalët arsye, arsej, arsim, arsimtar dhe ato që formohen prej tyre.
b) në fjalë të prejardhura, të formuara nga një temë më -ë me anë prapashtesash që nisin me bashkëtingëllore, dhe në fjalë të përbëra e të përngjitura që kanë si pjesë të parë një temë të tillë më -ë, të ndjekur nga një temë që nisë me bashkëtngëllore: anëtar, anëtarësi (anë); armëtar (armë); atëror, atësi (atë); bardhësi (i bardhë); botëror, botërisht (botë); bulëzim (bulë); burrëri, burrëror (burrë); copëtoj, copëtim, copëzoj (copë); drejtësi (i drejtë); flakëroj, flakërimë (flakë); frikësoj (frikë); frymëzoj, frymëzim (frymë); ftohtësi (i ftohtë); gojëtar, gojëtari (gojë); gjatësi (i gjatë); gjellëtore (gjellë); gjerësi (i gjerë); gjithësi, përgjithësisht (gjithë); gjuhësi, gjuhësor, gjuhëtar (gjuhë); gjunjëzoj (gjunjë); hollësi, hollësisht (i hollë); këmbësor, këmbësori (këmbë); kordhëtar (kordhë); lartësi, lartësoj (i lartë); lehtësi, lehtësoj (i lehtë); luftëtar (luftë); mbarësi (i mbarë); mirësi, përmirësoj (i mirë); pemëtore, pemëtari (pemë); pikëllim, pikërisht (pikë); pjesëtoj, pjesëtim (pjesë); plotësoj, plotësisht (i plotë); punëtor, punëtori (punë); qetësi (i qetë); rreptësi, rreptësisht (i rreptë); rrogëtar (rrogë); shkallëzim (shkallë); shkishëroj (kishë); shpejtësi (i shpejtë); shterpësi (shterpë); tokësor, tokëzim (tokë); trashësi (i trashë); thatësi (i thatë); thellësi (i thellë); udhëtar, udhëtim (udhë); urtësi (i urtë); valëzoj, valëzim (valë); vështirësi (i vështirë); vjershëtor (vjershë); zbetësi (i zbetë) etj.; anëshkrim, armëpushim, atëherë, bashkëfjalim, bashkënxënës, bashkëpunoj, bashkëshorte, botëkuptim, bukëpjekës, buzëqesh, cipëtrashë, çfarëdo, datëlindje, derëbardhë, dorëheqje, dorëshkrim, dorëzanë, dhjetëfishoj, dhjetëfishoj, dhjetëvjetor, fletëgjerë, frymëmarrje, gojëdhënë, gojëmjaltë, grevëthyes, gjashtëdhjetë, gjashtëmbëdhjetë, i gjithëfuqishëm, gjithëkombëtari, gjuhëgjatë, gjysmëhënë, gjysmëkoloni, hundëshkabë, i jashtëzakonshëm, jetëdhënës, jetëgjatë, këmbëzbathur, këngëtar, kokëfortë, llërëpërveshur, mbarëvajtje, mirëbërës, mirëbesim, mirëdita, i mirëfilltë, pesëvjeçar, pikënisje, pikëpamje, pjesëmarrje, pulëbardhë, qafëgjatë, shumëfishoj, shumëkëmbësh, vetëdashje, vetëqeverisje, vetëvendosje, vërej, vërejtje etj.
1) Nuk shkruhet ë-ja paratheksore te përemrat e pakufishëm, te ndajfoljet e te lidhëzate përngjitura që kanë si pjesë të parë fjalë gjithë ose kurrë: gjithçka, gjithçmos, gjithfarë, gjithherë, gjithkah, gjithkund, gjithkush, gjithmonë, gjithnjë, gjithsaherë, gjithsecili, gjithsekush; kurrfarë, kurrgjë, kurrkund, kurrkush, kurrsesi etj. Po kështu shkruhet pa -ë pjesa e parë e fjalëve vetvete, vetvetiu dhe e fjalëve të formuara prej tyre: vetvetor, i vetvetishëm.
Shënim 1. Për shkak të ngulitjes prej kohës, të shqiptimit dhe të shkrimit në gjuhën letrare shkruhen pa -ë- fjalët: amtar, besnik, fillestar, furrtar, kishtar, lojtar, meshtar, nevojtar, nevojtore, ngatrrestar, pishtar, rojtar, zyrtar; atdhe.
Shënim 2. Nuk shkruhet ë-ja paratheksore te fjalët e përbëra, kur gjymtyra e dytë fillon me zanore: bashkatdhetar, bashkautor, bashkudhëtar (bashkë); gojëmbël (gojë); i gjithanshëm (gjithë); kokulur (kokë); i shumanshëm (shumë) etj. (por: njëanësi, i njëanshëm, zëëmbël, sepse ë-ja fundore te gjymtyra e parë e tyre është e theksuar).
c) po kështu shkruhen me ë (si zanore mbështetëse) edhe fjalët e prejardhura, që, megjithëse formohen nga tema më bashkëtingëllore, që kanë një strukturë fonetiko-fjalëformuese të ngjashme me atë të fjalëve të mësipërme: armiqësi (armiq); besnikëri (besnik); bujqësi (bujq); djallëzi (djall); dobësi (i dobët); fajësi, pafajësi, shfajësoj (faj); fshatrarësi (fshatar); fundërri (fund); gjakësi, gjakësor (gjak); hapësirë (hap); harkëtar (hark); kalbëzoj (i kalbët); keqësoj, keqësim (keq); kombësi, kombëtar, ndërkombëtar (komb); krejtësisht (krejt); kryqëzor (kryq); lajmëtar, lajmëroj (lajm); lavdëroj, lavdërim (lavd); ligësi (i lig); madhësi, madhështor (i madh); malësi, malësor (mal); mbretëri (mbret); miqësohem, miqësor, miqësisht (miq); mjekësi, mjekësor (mjek); pakësoj (pak); plehëroj, plehërim (pleh); pleqëroj, pleqësi (pleq); qytetëroj, qytetërim (qytet); robëri, robëroj (rob); shëndetësi (shëndet); shfrytëzoj, shfrytëzim (fryt); shkrifëroj, shkrifërim (shkrif); Shqipëri, shqipëroj (shqip); shtetëror (shtet); trimëri (trim); vargëtar (varg); vazhdimësi (vazhdim); zdrukthëtar, zdrukthëtari (zdrukth) etj.
Shënim. Nuk shkruhen me ë: a. fjalët e prejardhura që formohen prej temash me një bashkëtingëllore me anë të prapashtesave -tar(e), -tor(e), -ti, -toj: arsimtar, arsimtare (arsim), çlirimtar (çlirim), flamurtar, flamurtare (flamur), gjyqtar (gjyq), kujdestar (kujdes), lundërtar (lundër), mishtar (mish), oborrtar (oborr), pajtimtar (pajtim), prestar (pres), shkaktar (shkak), shqiptar (shqip), shtegtar (shteg), tregtar (treg), themeltar (themel), zelltar (zell); fajtor (faj), leshtor (lesh); pastërti (i pastër), tregti (treg); caktoj, përcaktoj (cak), dëmtoj (dëm), ëmbëltoj (i ëmbël), robëtohem (rob), shkaktoj (shkak), shpeshtoj (shpesh), shqiptoj (shqip), shtegtoj (shteg), tregtoj (treg) etj*;
b. fjalët e prejardhura të cilat formohen prej temash më bashkëtingëllore të lëngëta (-r, -l, -ll) që e kanë theksin mbi rrokjen e parafundit: afërsi (afër), egërsi (i egër), epërsi (i epër), katërshor (katër), letërsi (letër), misërnike (misër), motërzim (motër), poshtërsi (i poshtër), vjetërsi (i vjetër), zgjuarsi (i zgjuar); ëmbëlsi, ëmbëlsoj (i ëmbël), vogëlsi (i vogël); miellzim (miell), popullsi, popullzoj (popull), rregullsi (rregull) etj.
*) Po kështu shkruhen pa -ë- edhe fjalët tradhtar, tradhti, tradhtisht, tradhtoj.
ç) në fjalët e prejardhura, të formuara prej temash më -ër, -ërr, -ël, -ës, -ëz, me anë prapashtesash që fillojnë me zanore: arbëror, arbëresh (arbër), ashpëroj (i ashpër), breshëri (breshër), çiltëri (i çiltër), dimëroj, dimëror, dimërim (dimër), dhelpëri (dhelpër), emëroj, emërore, emërues (emër), femërore (femër), gjarpëroj, gjarpërushe (gjarpër), gjelbërim (i gjelbër), misërishte, misërok (misër), mjeshtëri, mjeshtërisht, mjeshtërok, mjeshtëror (mjeshtër), numëror, numërim, numëroj (numër), poshtëroj, poshtërim (i poshtër), shtrembëroj, shtrembërim (i shtrembër), urdhëresë, urdhëroj, urdhërore (urdhër), varfëri, varfëroj (i varfër), verbërisht (i verbër), zemërim, zemëroj (zemër) etj.; me ë paratheksore shkruhen edhe disa trajta shumësi që janë fonetikisht të ngjashme me fjalët e tipit të mësipërm, si gishtërinj, gjarpërinj, priftërinj, zotërinj, po ashtu edhe formimet e tipit mbretëreshë,priftëreshë, zotëroj; ëndërrim, ëndërroj (ëndërr), picërroj (picërr) etj.; vegjëli, vogëlimë, zvogëloj, zvogëlim (i vogël) etj.; nëpunësi (nëpunës), përgjegjësi (përgjegjës), rrobaqepësi (rrobaqepës) etj.; bulëzoj (bulëz), njerëzi, njerëzor (njerëz) etj.*
*) Në pajtim me drejtshkrimin e ngulitur prej kohësh shkruhet përgënjeshtroj, përgënjeshtrim (gënjeshtër), kokrrizë (kokërr), puçrriza-t (puçërr).
Shënim. Nuk shkruhen me ë paratheksore fjalët e prejardhura, të formuara prej temash më -ër me anë prapashtesash që fillojnë me zanore, kur përpara -ë-së ndodhet vetëm një nga bashkëtingëlloret b, d, f, j, k, p, t, v ose një nga grupet -nd-, -st-: algjebrik (algjebër), dibran (Dibër), librar, librari (libër); kodrinë, kodrinor (kodër), lodroj (lodër), shkodran (Shkodër); afri, afrim, afroj (afër); ajri, ajroj, ajrim, ajror (ajër); lakror (lakër), mjekrosh (mjekër), mokrar (Mokër); epror (i epër), teproj, tepricë (tepër), veproj, veprim (vepër); katror (katër), letrar (letër), vjetrohet, i vjetruar (i vjetër); zgavroj (zgavër); cilindrik (cilindër), lundroj, lundrim (lundër), njëthundrak (thundër); gjirokastrit (Gjirokastër), kadastroj, kadastrim (kadastër), lustroj, lustrim (lustër), ministri, ministror (ministër), pastroj, pastrim (i pastër), regjistroj, regjistrim (regjistër) etj.*
*) Në pajtim me dorëshkrimin e ngulitur prej kohësh shkruhet dhëndëri, dhëndëroj (dhëndër), gjëndërohem (gjëndër), motëri (motër), sipërore, sipëri (sipër).