PËRDORIMI I SHKRONJAVE TË MËDHA
§ 70
Shkronja e madhe përdoret për të dalluar emrat e përveçëm dhe emërtimet e barasvlershme me ta nga emrat e përgjithshëm.
§ 71
Shkruhen me shkronjën e parë të madhe emrat dhe mbiemrat e personave, epitetet ose ofiqet (nofkat) që janë pjesë përbërëse e tyre si edhe pseudonimet: Ali Kelmendi, Avni Rustemi, Dedë Gjo Luli, Gjergj Elez Alia, Gjergj Kastrioti, Gjeto Basho Muji, Gjin Bua Shpata, Gjon Buzuku, Ismail Qemali, Naim Frashëri, Pjetër Budi, Rrapo Hekali etj.; Aleksandër Dyma Biri, Gavril Dara i Riu, Gjergj Balsha i Parë, Gjergj Qimekeqi, Ivani i Tmerrshëm, Rikard Zemërluani, Leka i Madh, Lleshi i Zi, Mark Shalëgjati, Nikolla Këmbëleshi etj.; Asdreni, Buburicka, Çajupi, Dokë Sula, Jakin Shkodra, Migjeni, Platonicus, Rushit Bilbil Gramshi, etj.
Shënim 1. Nyjat dhe pjesëzat e mbiemrave të huaj shkruhen me shkronjë të vogël, kur jepet i plotë emri dhe mbiemri i personit, por shkruhen me shkronjë të madhe, kur përdoret vetëm mbiemri dhe kur nyja ose pjesëza është element i domosdoshëm i tij: Kalderon de la Barka, por De la Barka; Leonardo da Vinci, por Da Vinci; Lope de Vega, por De Vega; Mahmud al Kazhgari, por Al Kazhgari; Sharl dë Koster, por Dë Koster; Vincent van Gog, por Van Gog etj.
Me shkronjë të madhe shkruhen edhe pjesët O, Mak, San, Sen të mbiemrave të huaj të personave: O Brien, O Konor, O Kejsi; Mak-Dovel, San-Martin, Sen-Simon etj.
Shënim 2. Të gjitha pjesët e emrave dhe mbiemrave kinezë, koreanë, vietnamezë e birmanë fillojnë me shkronjë të madhe: Fan Dinj Fung, Kan Gam Çan, Li Sju Çen, Lu Sin, Ngujen Van Troi, Sun JatSen etj.
§ 72
Shkruhen me shkronjën e parë të madhe emrat e mbiemrat e përveçëm, të cilët, megjithëse përdoren për të shënuar një kategori të caktuar njerëzish, nuk janë kthyer në emra të përgjithshëm: janë të rrallë në histori Gjergj Kastriotët; kemi edhe ne Homerët tanë; një Promete i ditëve tona etj.
Shënim. Kur emrat e përveçëm janë kthyer në emra të përgjithshëm që shënojnë tipin përkatës, shkruhen me shkronjë të vogël: ciceron, donkishot, gobsek, harpagon, kuisling, mecen, mentor etj. Me shkronjë të vogël shkruhen edhe emërtimet e njësive të matjes, të mjeteve teknike, të sendeve etj., të cilat burojnë nga emra të përveçëm: amper-i, om-i, vat-i, volt-i, zhul-i, dizel-i, ford, mauzer, rëntgen etj.
§ 73
Emërtimet e funksioneve shtetërore, politike e ushtarake, të gradave, të titujve fetarë etj. shkruhen me shkronjë të vogël: ministri i ndërtimit N.N., deputeti i Kuvendit Popullor N.N., kryetari i Komitetit Ekzekutiv N.N., presidenti i Republikës, perandori Konstantin, mbretëresha Teuta, sulltan Murati II; sekretari i Komitetit të Partisë, anëtari i Byrosë Politike, anëtari i sekretariatit të KQ, sekretari i KQ, komisari i korpusit, komisari i batalionit, ambasadori N.N.; komandanti i regjimentit, komandanti i korpusit, komandanti i brigadës, shefi i shtabit, admirali N.N., mareshali Vatutin, gjenerali Dombrovski, major Petrit Bardhi, toger Skënder Petrela; dukë Gjin Tanushi, princi Karl Topia, kont Niketë Topia, vojvodë Janosh Huniadi, Ali pashë Gucia, Mehmet pashë Bushati, Ali bej Evrenozi; anëtari i Akademisë së Shkencave N.N., profesor N.N., docent N.N., doktor profesor Aleksandër Xhuvani, bashkëpunëtor i vjetër shkencor N.N.*; papa Kalisti III, peshkopi Pal Engjëlli, at Shtjefën Gjeçovi, imzot Luigj Bumçi, sheh Mustafa Tetova etj. Kur emërtimet janë bërë pjesë e pandarë e një emri të përveçëm, ato shkruhen me shkronjë të madhe: Baba Faja, Hoxha Tahsini, Kont Urani, Madam dë Stal, Papa Kristo Negovani, Princ Vidi etj.
*) Kur këto emërtime përdoren më vete (jo në fjali), siç ndodh zakonisht në rastet kur u drejtohemi personave përkatës, në nënshkrimet, si edhe në renditjen e emërtimeve në fjalë në dokumentet zyrtare, ato shkruhen me shkronjë të madhe si në formën e plotë, ashtu edhe në formën e shkurtuar.
§ 74
Emërtimet e funksioneve zyrtare e shoqërore më të larta, titujt më të lartë të nderit në RPSH dhe emërtimet e urdhrave e të medaljeve shtetërore shkruhen me shkronjë të madhe (të gjitha fjalët që hyjnë në përbërjen e tyre, me përjashtim të nyjave); po kështu veprohet edhe në rastet e ngjashme në kumtimet e në dokumentet zyrtare:Sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë; Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor; Kryetari i Këshillit të Ministrave të Republikës Popullore të Shqipërisë; Kryetari i Këshillit të Përgjithshëm të Frontit Demokratik të Shqipërisë; Presidenti i Këshillit të Përgjithshëm të Bashkimeve Profesionale të Shqipërisë; Sekretari i Parë i Bashkimit të Rinisë së Punës të Shqipërisë; Presidentja e Bashkimit të Grave të Shqipërisë; Hero i Popullit; Hero i Punës Socialiste; Mësues i Popullit; Artist i Popullit; Urdhri i Flamurit; Urdhri i Punës i Klasit të Parë; Urdhri i Lirisë; Urdhri "Naim Frashëri"; Medalja e Trimërisë; Medalja e Punës etj.
Emërtimet e titujve të tjerë të nderit shkruhen me shkronjë të madhe vetëm në fjalën e parë: Artist i merituar, Mësues i merituar, Mjeshtër i sportit etj.*
*) Emërtimet e titujve të nderit vihen në thonjëza, kur përdoren menjëherë pas fjalës "titull", si ndajshtim i paveçuar me presje: iu dha titulli "Hero i Popullit" – "Hero i Punës Socialiste" – "Artist i Popullit" etj., por Heroi i Popullit Qemal Stafa, Mësuesi i Popullit Aleksandër Xhuvani, Mjeshtri i sportit N.N. etj.
§ 75
Shkruhen me shkronjë të madhe emrat e përveçëm të botës mitologjike e fetare, si edhe ata të figurave e të tregimeve popullore: Adami, Apoloni, Buda, Diana, Eva, Hermesi, Jupiteri, Krishti, Minerva, Mitra, Muhameti, Neptuni, Pani, Polifemi, Shiva, Zeusi etj.; Borëbardha, e Bukura e Dheut, Hirushja, Katallani, Maro Përhitura, Syqenëza etj. (por shkruhen me shkronjë të vogël emrat e përgjithshëm të sferave të mësipërme si allah, ëngjëll, perëndi, perri, shenjt, xhind, zanë etj.).
§ 76
Shkruhen me shkronjë të madhe emrat e përveçëm të kafshëve: Balashi, Baloja, Bukefali, Kazili, Kuqali, Laroja, Rosinanti etj.
§ 77
Shkruhen me shkronjë të madhe emërtimet e planetëve, të yjeve, të yjësive e të trupave të tjerë qiellorë: Arusha e Madhe, Arusha e Vogël, Galaktika, Jupiteri, Kashta e Kumtrit, Dielli, Hëna, Marsi, Neptuni, Saturni, Shenjëzat, Toka, Urani, Ylli Polar etj.
Shënim. Emrat dielli, dheu, hëna, toka etj. shkruhen me shkronjë të vogël, kur nuk përdoren si terma të astronomisë, p.sh. perëndimi i diellit; temperatura në det e në tokë është e ndryshme; një natë pa hënë etj.
§ 78
Emërtimet gjeografike e territoriale-administrative, si edhe emrat e tjerë të vendeve shkruhen me shkronjë të madhe: Adriatiku, Alpet, Ballkani, Buna, Dajti, Devolli, Drini, Joni, Karpatet, Labëria, Luma, Mirdita, Myzeqeja, Sazani, Skrapari, Shari, Shqipëria, Tomori, Vjosa, Vlora etj.
Pjesët përbërëse të një emërtimi gjeografik a të një emri vendi prej dy a më shumë fjalësh shkruhen me shkronjë të madhe (me përjashtim të nyjave, lidhëzave e parafjalëve): Amerika Latine, Azia e Vogël, Bishti i Pallës, Bjeshkët e Nemuna, Bregu i Detit, Bregu i Fildishtë, Bregu i Matës, Briri i Artë, Deti i Bardhë, Deti i Kuq, Deti i Vdekur, Deti i Zi, Drini i Bardhë, Fusha Mbret, Gadishulli Ballkanik, Gadishulli Iberik, Gropat e Shkodrës, Guineja e Re, Guri i Bardhë, Guri i Hasit, Guri i Pishkashit, Gjiri Arabik, Gjiri Persik, Ishulli i Lezhës, Kepi i Gjelbër, Kepi i Shpresës së Mirë, Kodra e Kuqe, Komsomolsk-mbi-Amur, Kunora e Dardhës, Kunora e Lurës, Lëndina e Lotëve, Lugjet e Verdha, Lumi i Vlorës, Maja e Hekurave, Malësia e Madhe, Malësia e Mbishkodrës, Mali i Bardhë, Mali i Gjerë, Mali i Zi, Mali me Gropa, Oqeani i Ngrirë i Veriut, Përroi i Thatë, Poli i Jugut, Poli i Veriut, Qafa e Gjarprit, Qafa e Thanës, Qafa e Zezë, Reç-e- Dardha, Rrafshi i Dukagjinit, Rruga e Barrikadave, Sheshi i Demonstratave, Sheshi i Flamurit, Shkalla e Tujanit, Shkëmbi i Kavajës, Shtegu i Dhenve, Tenda e Qypit, Toka e Zjarrtë, Ura e Shtrejtë, Vau i Dejës, Vendet e Ulëta, Zelanda e Re etj.
Shënim 1. Emrat e përgjithshëm gjeografik si breg, buzë, çukë, det, fushë, gadishull, grykë, gji, hundë, istëm, ishull, kanal, kep, kodër, krua, liqen, lumë, majë, mal, ngushticë, përrua, qafë, qytet, sukë, she, shkretëtirë, shpellë, tropik, vargmal etj., kur nuk janë pjesë përbërëse e një emërtimi të përveçëm, por përdoren si përcaktues të një emri gjeografik ose përcaktohen prej tij, shkruhen me shkronjë të vogël: çuka e Ajtojt, deti Adriatik, deti i Kinës Jugore, fusha e Korçës, fusha e Myzeqesë, gadishulli i Ballkanit, gryka e Këlcyrës, gjiri i Vlorës, hunda e Karaburunit, istmi i Korintit, ishulli i Sazanit, kanali i Korfuzit, kanali i Myzeqesë, kanali i Suezit, kepi i Rodonit, kroi i Zejmenit, liqeni Balaton, liqeni i Prespës, liqeni i Shkodrës, lumi i Matit, lumi i Tiranës, maja e Korabit, maja e Radohinës, mali i Dajtit, ngushtica e Bosforit, ngushtica e Gjibraltarit, përroi i Munellës, qafa e Llogorasë, qyteti i Fierit, shpella e Dragobisë, tropiku i Gaforres, vargmali i Andeve etj.
Shënim 2. Mbiemrat që janë pjesë përbërëse të emrave gjeografikë, sikurse shihet edhe nga shembujt e mësipërm, shkruhen kurdoherë me shkronjë të madhe: Curraj i Epër, Drini i Bardhë, Drini i Zi, Kanali i Madh, Kurveleshi i Poshtëm, Labova e Sipërme, Malësia e Madhe, Mali i Zi, Myzeqeja e Vogël, Prespa e Madhe, Prespa e Vogël etj.
Shënim 3. Të gjitha pjesët përbërëse të emërtimeve zyrtare të shteteve fillojnë me shkronjë të madhe (me përjashtim të nyjave): Despotati i Epirit, Mbretëria e Nepalit, Perandoria Osmane, Perandoria Romake e Lindjes, Perandoria Romake e Perëndimit, Principata e Arbërisë, Principata e Lihtenshtajnit, Republika Arabe e Egjiptit, Republika Demokratike Gjermane, Republika Demokratike e Vietnamit, Republika Franceze, Republika Korçës, Republika Popullore e Kinës, Republika Popullore e Shqipërisë, Republika e San-Marinos, Republika Socialiste e Rumanisë, Republika e Venedikut, Shtetet e Bashkuara të Amerikës etj.
Shënim 4. Emrat e anëve të horizontit dhe mbiemrat e formuar prej tyre shkruhen me shkronjë të madhe (me përjashtim të nyjës), kur përdoren si emërtime njësish territoriale (gjeografike ose historike) ose si pjesë të këtyre emërtimeve: vallet tona të Jugut, popujt e Lindjes, Lindja e Largme, Lindja e Mesme, shtetet e Perëndimit, kryengritjet e malësrorëve të Veriut, popujt e Veriut etj.; Amerika e Jugut, Italia e Jugut, Poli i Jugut, Vietnami i Jugut, Evropa e Veriut, Irlanda e Veriut, Koreja e Veriut, Poli i Veriut, Shqipëria e Veriut, Vietnami i Veriut etj.; Amerika Jugore, Evropa Jugore, Shqipëria Jugore, Evropa Juglindore, Azia Juglindore, Evropa Lindore, Gjermania Lindore, Mesdheu Lindor, Evropa Perëndimore, Gjermania Perëndimore, Afrika Veriore, Amerika Veriore, Shqipëria Veriore, Shqipëria Veriperëndimore etj.; Kur emrat dhe mbiemrat e mësipërm përdoren për të shënuar një drejtim ose një pikë të horizontit, shkruhen me shkronjë të vogël: u nisën drejt veriut, frynë era nga lindja; në drejtim veriperëndimor etj.
Shënim 5. Emërtimet gjeografike shkruhen me shkronjë të madhe, edhe kur përdoren me kuptim të figurshëm: Borovë (masakër fashiste), Munih (marrëveshje me fashizmin), Dien Bien Fu, Stalingrad, Vaterlo (disfatë e rëndë ushtarake).
§ 79
Emërtimet e periudhave të ngjarjeve, të akteve e të dokumenteve historike me rëndësi kombëtare ose ndërkombëtare, të monumenteve historike e të monumenteve të kulturës shkruhen me shkronjë të madhe (me përjashtim të nyjave dhe të fjalëve shërbyese): Çlirimi (zhvillimi ekonomik pas Çlirimit), Reforma, Rilindja, Rilindja Kombëtare Shqiptare, Tanzimati etj. Antanta, Antanta e Vogël, (fuqitë) e Boshtit, Internacionalja Komuniste, Internacionalja e Parë, Komuna e Parisit, Konferenca e Ambasadorëve, Konferenca e Labinotit, Konferenca e Paqes, Konferenca Pezës, Kongresi VI i PPSH, Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, Kongresi i Lushnjës, Kongresi i Manastirit, Kongresi i Përmetit, Kuvendi i Lezhës, Lëvizja Nacionalçlirimtare, Lidhja e Prizrenit, Lufta e Dytë Botërore, Lufta Njëqindvjeçare, Lufta e Vlorës, Mbledhja e Beratit, Nata e Shën Bartolomeut, Njëqind Ditët, Operacioni i Dimrit, Qeveria e Përkohshme e Durrësit, Reforma Agrare, Republika e Tretë, Revolucioni Socialist i Tetorit, Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip, Traktati i Londrës, Traktati i Shën Stefanit, Traktati i Versajës etj.; Dekreti i Paqes, Dekreti i Tokës, Karta e Kombeve të Bashkuara, Karta e Madhe e Lirive, Kushtetuta e RPSH, Letra e Hapur e KQ të PPSH, Memorandumi i Gërçës, Tezat e Prillit etj.; Shtëpia e Partisë, Kalaja e Gjirokastrës, Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut (Tiranë), Mauzoleumi i Dëshmorëve (Durrës), Manastiri i Ardenicës etj.; Monumenti i Shpalljes së Pavarësisë (Vlorë), Monumenti i Luftëtarit Kombëtar (Korçë), Monumenti i Skënderbeut (Tiranë, Krujë), Ura e Mesit, Xhamia e Ethem beut (Tiranë) etj.
Shënim. Emërtimet e epokave gjeologjike, historike e të formacioneve historiko-shoqërore që nuk janë emra të përveçëm, shkruhen me shkronjë të vogël: diluvi, jura, kuaternari, etj.; koha e re, mesjeta, neoliti, paleoliti etj.; feudalizmi, komuna primitive, kapitalizmi, komunizmi etj.
§ 80
Emërtimet zyrtare (të sotme ose historike) të institucioneve të shtetit e të partisë të vendit tonë, si edhe emërtimet e organizatave shoqërore e të njësive ushtarake kryesore shkruhen me shkronjë të madhe (me përjashtim të nyjave dhe të fjalëve shërbyese); po kështu veprohet edhe në rastet e ngjashme në kumtimet e në dokumentet zyrtare: Komiteti Qendror i Partisë së Punës të Shqipërisë, Byroja Politike e Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, Sekretariati i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, Kuvendi Popullor, Presidiumi i Kuvendit Popullor, Këshilli i Ministrave i Republikës Popullore të Shqipërisë, Fronti Demokratik i Shqipërisë, Këshilli i Përgjithshëm i Frontit Demokratik, Bashkimet Profesionale të Shqipërisë, Këshilli i Përgjithshëm i Bashkimeve Profesionale të Shqipërisë, Bashkimi i Rinisë të Punës të Shqipërisë, Komiteti Qendror i Bashkimit të Rinisë së Punës të Shqipërisë, Bashkimi i Grave të Shqipërisë, Këshilli i Përgjithshëm i Bashkimit të Grave të Shqipërisë, Partia Komuniste e Shqipërisë, Rinia Komuniste Shqiptare, Ushtria Popullore, Ushtria Nacionalçlirimtare, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare, Këshilli Antifashist Nacionalçlirimtar, Kryqi i Kuq Shqiptar, Bashkimi i Përgjithshëm i Kooperativave të Konsumit, Komiteti Kombëtar i Veteranëve të Luftës të Popullit Shqiptar, Ministria e Arsimit dhe e Kulturës, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Tregtisë, Akademia e Shkencave e Republikës Popullore të Shqipërisë, Universiteti Shtetëror i Tiranës, Biblioteka Kombëtare, Banka e Shtetit Shqiptar, Komiteti i Kulturës dhe i Arteve, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Instituti i Monumenteve të Kulturës, Instituti i Lartë Shtetëror i Bujqësisë, Instituti i Shkencave, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, Fakulteti Ekonomik, Drejtoria e Përgjithshme e Ekonomisë Komunale, Teatri Popullor, Teatri i Operës dhe i Baletit, Shtëpia Botuese e Librit Shkollor, Komiteti i Partisë i Rrethit të Beratit, Këshilli Popullor i Rrethit të Shkodrës, Korparmata I, Divizioni II, Brigada I Sulmuese etj.*
*) Në rastet kur një pjesë e emërtimit zyrtar të një institucioni, organizate etj. përdoret për të përfaqësuar gjithë emërtimin, kjo pjesë shkruhet me shkronjë të madhe: ministri i Mbrojtjes, ministri i Punëve të Jashtme, drejtori i Ekonomisë Komunale etj.
Shënim. Emërtimet e kategorive të mësipërme, kur përdoren si emra të përgjithshëm, shkruhen me shkronjë të vogël: u bënë zgjedhjet e këshillave popullore të rretheve; do të shkoj në komitetin ekzekutiv; ky universitet nuk ka fakultet mjekësie etj.
§ 81
Kur në një kontekst të caktuar një emërtim i tipave të përmendur në §§ 79, 80 rishfaqet me anë të fjalës së parë, kjo shkruhet me shkronjë të madhe, si përfaqësuese e një emri të përveçëm: forcat e Lidhjes (= e Lidhjes së Prizrenit); mësimet e Komunës (= Komunës së Parisit); vendimet e Kongresit (p.sh. Kongresit të Lushnjës, të Përmetit); rëndësia historike e këtyre Tezave (= Tezave të Prillit); Kongresi VI i Partisë (= Partisë së Punës të Shqipërisë); tridhjetëvjetori i themelimit të Frontit (= të Frontit Demokratik); institutet e Akademisë (= e Akademisë së Shkencave të RPSH); dokumentet e Shtabit (= e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare) etj.
§ 82
Shkruhen me shkronjë të madhe pjesët përbërëse të emërtimeve të festave kombëtare e ndërkombëtare: 28 Nëntori, 29 Nëntori, 11 Janari, 8 Marsi ose Tetë Marsi, 1 Maji ose Një Maji, 24 Maji, 1 Qershori, 10 Korriku, 7 Nëntori, 8 Nëntori ose Tetë Nëntori, Dita e Aviacionit, Dita e Mësuesit, Dita Ndërkombëtare e Gruas, Viti i Ri etj.
Shënim. Emrat festave fetare shkruhen me shkronjë të vogël: bajrami, kërshëndellat, mevludi, nata e mirë, pashkët, e premtja e zezë, ramazani, rrëshajet, ujët e bekuar etj.
§ 83
Te titujt e gazetave, të revistave e të librave, të cilët vihen kurdoherë ndërmjet thonjëzash, shkruhet shkronjë të madhe vetëm fjala e parë dhe emrat e përveçëm që hyjnë në përbërjen e titullit: "Zëri i popullit", "Bashkimi", "Zëri i rinisë", "Sporti popullor", "Jeta e re", "Studime filologjike", "Studime historike", " Gjurmime albanologjike", "Revista pedagogjike", "Në shërbim të popullit", "Ylli i mëngjesit", "Bujku i ri", "Shqiptarja e re", "Kushtrimi i lirisë", "Bota e re", "Ata nuk ishin vetëm...", "Bagëti e bujqësia", "Drurët dhe shkurret e Shqipërisë", "Gramatika e gjuhës shqipe", "Historia e Skënderbeut", "Historia e letërsisë shqipe", "Komedia hyjnore", "Kujtime nga jeta e Brigadës I Sulmuese", "Lulet e verës", "Norma letrare kombëtare dhe kultura e gjuhës", "Para agimit", Për revolucionarizimin e mëtejshëm të shkollës sonë", "Drejtshkrimi i gjuhës shqipe", "Shpresë për popullin, tmerr për armikun", "Toka jonë", "Zëri i arbëreshëve" etj. Po kështu shkruhen titujt e botimeve në gjuhët e huaja, kur jepen me alfabetin e shqipes: "I foni, tis, Alvanias", "Noje rajnishe cajtung", "L'albaneze d'Italia", "L'ymanite ruzhë", "Rote fane" etj.
§ 84
Shkurtimet e emrave të shteteve, të partive, të organizatave, të shoqërive, të institucioneve, të ndërmarrjeve etj., shkruhen me shkronja të mëdha, pa vënë pikë as ndërmjet, as pas tyre: RPSH, RSR, RDGJ, BRSS, SHBA, etj.; PPSH, PKSH, PKK etj.; BPSH, BRPSH, BGSH, KONARE, OKB, NATO, SEATO, UNESCO, GAT, etj.; AIESEE, FIDE, FIFA, OPEK, SVEA, UEFA, etj.; ATSH, NB, NN, SMT, UEM, USHT, TEC, AXHERPRES, AFP, MENA, VNA etj.
§ 85
Shkruhen me shkronjë të madhe emrat e përgjithshëm, kur përdoren për të shënuar qenie të personifikuara (në fabulat, përrallat e në krijime të tjera letrare): Plaku i vitit të Ri; O Prill, o im vëlla!, "Vajza dhe Vdekja"; "Përralla gjet një ditë të Vërtetën (N. Frashëri); Të lumtë, o Arbër, se na e zbardhe faqen! (K. Kristoforidhi) etj.
§ 86
Mund të shkruhet me shkronjë të madhe një emër i përgjithshëm për qëllime të veçanta stilistike, për të theksuar një forcë a me një ngjyrim të veçantë një nocion, një njeri a një ide të caktuar (Atdheu, Mëmëdheu, Partia, Liria, Komisari, Komandanti, Njeriu, Nëntori etj.): "Të bukurën e gjeta te ti o Atdhe!"; "Të nderojmë Mëmëdhenë!"; "Ku t'i kërkoj rrënjët e tua Parti?", "Mirëmëngjes Republikë!", Nëntori ynë i Lavdishëm; "Flamur i madh për Vegjëli", "Yll i pavdekur për Liri" etj.
§ 87
Përemri vetor ju dhe përemrat pronorë juaj (i, e) tij, (i, e) saj, në shenjë nderimi për personin të cilit i drejtohemi, ose për të cilin flasim, mund të shkruhen me shkronjë të madhe. Me shkronjë të madhe mund të shkruhen edhe emërtimet e bartësve të funksioneve shtetërore e shoqërore, kur u drejtohemi atyre: Shoku Ministër!; Shpresoj shoku Kryetar, se do të marrë përgjigje të shpejtë etj.
§ 88
Shkruhen me shkronjë të madhe emërtimet shkencore të tipave, klasave, rendeve, familjeve e gjinive të botës bimore e shtazore në trajtën latine të tyre; te emërtimet e llojeve e të nënndarjeve të tyre shkruhet me shkronjë të madhe vetëm fjala e parë: Chordata, Protozoa, Mammalia, Pisces, Rodentia, Carnivora, Felidae, Ursidae, Turdus, Mugil, Canis lupus, Locusta viridis etj.; Angiospermae, Gymnospermae, Dicotyledones, Monocotyledones, Archichlamidae, Leguminosae, Polygonales, Pinaceae, Papilonaceae, Larix, Abies, Castanea sativa, Salvia officinalis etj.
§ 89
Shkruhen me shkronjën e parë të madhe simbolet e elementeve kimike: Cl, Fe, H, Mg, Mn, N, Na, O, S etj.
§ 90
Emrat e përgjithshëm si rrugë, bulevard, stadium, shesh, lagje, hotel, kinema, teatër, ndërmarrje, kooperativë, uzinë, kombinat, hidrocentral, vapor, shkollë, klub, gazetë, revistë, roman, poemë, dramë, opera, balet, këngë, çetë, batalion, brigadë etj., që përcaktohen nga një emër a emërtim i përveçëm në rasën emërore, i vënë ndërmjet thonjëzash*, shkruhen me shkronjë të vogël: rruga "Asim Vokshi", rruga "Kongresi i Përmetit", bulevardi "Dëshmorët e Kombit", bulevardi "Republika", stadiumi "Dinamo", sheshi "Avni Rustemi", sheshi "Heronjtë e Vigut", sheshi "Skënderbej", lagjja "Çlirimi", lagjja "24 Maji"; hotel "Adriatiku", hotel "Dajti", kinema "17 Nëntori", kinema "Morava", ndërmarrja bujqësore "8 Nëntori", ndërmarrja e ndërtimit "Perlat Rexhepi", kooperativa bujqësore "Ylli i kuq", uzina "Drini", uzina "Partizani", kombinati ushqimor "Ali Kelmendi", hidrocentrali "Karl Marks", hidrocentrali "Lenin", vapori "Vlora", shkolla "Bajram Curri", shkolla "Katër Dëshmorët", shkolla "Liria", shkolla pedagogjike "17 Nëntori", klubi "Flamurtari", klubi "Tomori"; gazeta "Zëri i Popullit", revista "Nëntori", romani "Lumi i vdekur", poema "Prishtina", drama "Familja e peshkatarit", drama "Toka jonë", opera "Skënderbeu", baleti "Halili dhe Hajria", kënga "Marshim partizan"; çeta "Selam Musaj", batalioni "Fuat Babani", batalioni "Hakmarrje", brigada "Shkurte Pal Vata" etj.
Kur emërtimet e mësipërme përdoren më vete (jo në fjali) në tabelat, dokumentet e shpalljet zyrtare, shkruhet me shkronjë të madhe edhe fjala e parë.
Me shkronjë të madhe shkruhen gjithashtu emrat shesh, rrugë, lagje etj. kur ata janë pjesë e emërtimit të përveçëm përkatës: Rruga e Barrikadave, Sheshi i Flamurit, Lagjja e Re, Klubi i Manastirit etj.
*) Emrat e rrugëve e të shesheve në tabelat përkatëse nuk vihen në thonjëza.
§ 91
Emrat e popujve dhe të banorëve të një vendi, të një krahine, të një qyteti etj. shkruhen me shkronjë të vogël: afrikanët, algjerianët, amerikanët, bullgarët, evropianët, francezët, hungarezët, kinezët, pellazgët, polakët, rumunët, shqiptarët, vietnamezët, zviceranët etj.; arbëreshët, beratasit, dibranët, elbasanasit, gjirokastritët, kosovarët, kolonjarët, matjanët, myzeqarët, shkodranët, shpatarakët, tiranasit, ulqinakët, vlonjatët etj.
§ 92
Emrat e ditëve të javët, të muajve e të stinëve shkruhen me shkronjë të vogël: e hënë, e martë, e mërkurë etj.; janar, shkurt, mars, prill etj.; pranverë, verë, vjeshtë, dimër.
§ 93
Në veprat poetike fjala e parë e çdo vargu mund të fillojë me shkronjë të madhe ose të vogël; por në rastet kur vargjet, në citimet, shkruhen vijueshëm njëri pas tjetrit, jo secili rresht më vete, ato nisin gjithmonë me shkronjë të madhe.
§ 94
Fillon me shkronjë të madhe fjala e parë e çdo teksti të shkruar, si dhe fjala e parë e një fjalia ose periudhe që vjen pas pikës, shumëpikëshit, pikëpyetjes, pikëçuditjes dhe dy pikave, kur këto shënojnë mbarimin e një fjalie të veçantë a të një periudhe të mëparshme.
Shënim. Kur pikëpyetja, pikëçuditja ose shumëpikëshi vihet pas ligjëratës së drejtë dhe në fjalët e autorit, që vijojnë, tregohet se kujt i takon ligjërata e drejtë, pas shenjave të mësipërme, fjala e parë shkruhet me shkronjë të vogël, p.sh.;
– Po ju, si shkuat? – pyeti komisari partizanët;
– Ku jeni, orë shokë, se po ju kërkojmë! - tha njëri prej tyre;
– Mu duk djalë i mirë... – i thash unë.
Po kështu shkruhet me shkronjë të vogël fjala e parë pas shumëpikëshit që shënon ndërprerje të ligjëratës dhe jo mbarimin e fjalisë a të periudhës së mësipërme, p.sh.: Ky tavan është i ulët... tavani i shtëpisë sonë është më i lartë dhe i lyer me bojë të gjelbër.
§ 95
Shkruhen me shkronjë të madhe fjala e parë pas dy pikave në këto raste:
a) kur fillon një ligjëratë e drejtë a një citat, që vihet ndërmjet thonjëzash:A të kujtohen fjalët e Petritit: "Ne do t'i kryejmë porositë e tua, do të luftojmë kundër fashizmit për lirinë e Shqipërisë"? Populli ynë thotë: "Trimi i mirë me shokë shumë"; Skënderbeu ka thënë: "Lirinë nuk e solla unë, po e gjeta këtu."
b) kur pas dy pikave radhiten, zakonisht në tekste zyrtare (statute, ligje, rregullore, urdhëresa, vendime etj.), paragrafë të veçantë që nisin me kryerresht dhe mbarojnë me pikë.
Shënim. Në të gjitha rastet e tjera teksti që vjen pas dy pikave, fillon me shkronjë të vogël: Ne u lidhëm me lëvizjen: merrnim pjesë në mbledhje të fshehta, shpërndanim trakte, organizonim demostrata.