martedì 25 giugno 2013

FJALË ME PREJARDHJE TË HUAJ

FJALË ME PREJARDHJE TË HUAJ 

Fjalët me prejardhje të huaj që kanë hyrë në gjuhën tonë kryesisht pas Shpalljes së Pavarësisë, në përgjithësi nëpërmjet gjuhës së shkruar, dhe që i takojnë sidomos terminologjisë tekniko-shkencore, shkruhen kështu:

a) Fjalët që kanë -ia-, -ie-, -io-, -iu-, me i të patheksuar në trup të tyre, shkruhen me -ia-, -ie-, -io-, -iu- dhe jo me -ja-, -je-, -jo-, -ju-: -ia-: amiant, australian, austriak, aviator, aziatik, ballkaniadë, bolivian, brazilian, diabet, diagnozë, diagonale, diagramë, dialekt, dialektik, dialog, diamant, diametër, diapazon, diapozitiv, diare, diatezë, dhiatë, elegjiak, financiar, fiziatër, gjenial, gjeorgjian, imperialist, indonezian, industrial, iranian, italian, (kalendari) gregorian, (kalendari) julian, kambial, kardiak, kolonial, kolonializëm, material, materializëm, miliard, olimpiadë, pediatër, piano, pianist, psikiatër, racial, special, specialist, variant etj.;


-ie-: ambicie, arie, bankier, dietë, hierarki, hieroglif, higjienë, kantier, karrierë, karrocier, magazinier, malarie, materie, minierë, mumie, pionier, portier, tastierë, variete etj.;

-io-: agresion, agjitacion, aksiomë, aksion, aluzion, ambicioz, antibiotik, aviacion, bakteriolog, batalion, bibliotekë, bilion, biografi, biologji, delegacion, dioqezë, disertacion, dispozicion, diversion, ekspresionizëm, fiziologji, fizionomi, funksion, idiomë, idiot, iluzion, impresionizëm, injeksion, kamion, kinostudio, koleksion, komision, komunikacion, koncesion, legjion, leksion, lokucion, milion, miop, mision, nacionalizëm, nacion, racionalizim, radio, reaksion, reaksionar, recension, revolucion, sanksion, seksion, sesion, simiozë, stacion, studio, televizion, version, violinë etj.;

 -iu-: akuarium, barium, helium, herbarium, iridium, kalcium, kalium, po kështu kolokium; koniukturë, magnezium, moratorium, natrium, silicium, simpozium, stadium etj.

Po kështu shkruhen edhe emrat e përveçëm të huaj të tipave të mëposhtëm: Diana, Iliada, Miltiadi, Oktaviani, Santiago; Danieli, Lavuazie, Molieri, Robespieri, Sevilie; Berliozi, Diogjeni, Diokleciani, Etiopia, Hesiodi, Niobe, Tokio, Violeta etj.

Shënim. Shkruhen me -ja-, -je-, -jo-, -ju-, fjalë si: hajvar, plejadë; adjektiv, bjellogardist, konvejer, medalje, objekt, objektiv, objektivizëm, projekt, sovjet, sovjetik, subjekt, subjektiv, subjektivizëm, trajektore, vjenez; bajonetë, fjord, major, rajon, pavijon; adjudikatë, adjutant etj.

b) Fjalët dhe emrat e përveçëm që nisin me togjet e mësipërme, shkruhen me ja-, je-, jo-, ju-: jafetik, jaht, jamb, janki, japigët, jard; jeniçer, jezuit; jod, jon, jonizim; jug, juri, juridik, jurisprudencë, jurist, justifikim etj.; Jakutia, Jalta, Jasoni; Jemen, Jenisei, Jeronim, Jerusalem; Jokasta, Jokohama, (deti) Jon, Jordan; Jupiteri, Justiniani, Juvenali etj.

c) Fjalët dhe emrat e përveçëm me aj, ej, oj, uj shkruhen me j kur këto grupe janë në trup të tyre, por me i kur grupet në fjalë janë fundore: lajtmotiv, kombajnë, kombajner; fejton, konvejer, trolejbus, volejboll; bojkotoj, trojka etj.; Azerbajxhan, Bajkal, Bajron, Hajnan, Hajne, Kajro, Lajpcig, Majer, Malajzia, Sajgon, Tajlandë, Tajvan, Versajë, Xhamajka; Bejrut, Cejlon, Marsejë, Rejkjavik, Rio-de-Zhanejro; Llojd, Rojter, Troja; Kujbishev etj.; Havai, Kolontai, Mamai, Paraguai, Shangai, Uruguai; Bombei, Broduei, Faradei, Jenisei, Koçubei, Sergei, Sidnei; Hanoi, Koshevoi,Sedoi, Tolstoi etj.; por tramvaj, hokej, koktej, kauboj.

ç) Fjalët dhe emrat e përveçëm me burim prej greqishtes së vjetër, që në këtë gjuhë kanë y (ipsilon), shkruhen me i: amidon, analizë, anonim, antonim, antroponim, asintetik, bariton, brakicefal, cinik, daktilografist, dinamo, dinasti, distik, distrofi, dizenteri, dolikocefal, ekinokok, elektrolizë, etimologji, faring, filogjenezë, fizikë, fiziologji, fizionomi, fiziatër, glicerinë, gjimnastikë, gjimnaz, gjinekolog, hidrocentral, hidrogjen, himn, hiperbolë, hipertension, hipnotizim, hipokrit, hipotekë, hipotenuzë, homonim, idil, katalizator, klorofil, kriptogram, kristal, ksilofon, laring, limfë, linotip, martir, metonimi, mister, mistik, mit, mitologji, mizantrop, nimfë, oksigjen, olimpiadë, pirik, pirografi, poligjenezë, politeknik, psikiatri, psikik, psikolog, ritëm, silogjizëm, simbioz, simbol, simfoni, simetri, simpati, simptomë, sinagogë, sinekdokë, sinkroni, sinonim, sinoptik, sintagmë, sintaksë, sintezë, skit, stilistikë, stilograf, tip, tipografi, tiran etj. Po kështu shkruhen edhe emrat e përveçëm të kësaj kategorie, si edhe fjalët e formuara prej tyre: Asiri-a, Bizanti, Egjipti, Frigji-a, Kiri, Libi-a, Mikenë-a, Olimp-i, Polib-i, Polinezi-a, Siri-a, Skiti-a; asirina, bizantin, egjiptian, frigas, libian etj.

d) Fjalët dhe emrat e përveçëm, kryesisht me burim grek, latin a iliro-trak me au, eu shkruhen edhe në shqipen me au, eu: audiencë, auditor, autarki, autentik, autobus, autokrat, autokton, automat, automobil, autonomi, autopsi, (kisha) autoqefale, autor, autoritet, autorizim, autostradë, kozmonaut, maurët, mauzole, tautologji etj.; eufemizëm, eufoni, eufori, eukalipt, eunuk, euritmi, leucemi, leukocite, neurolog, neurologji, neuromë, neuron, neutral, neutron, pleura, pleurit, pseudonim, reumatizëm etj. Po kështu shkruhen edhe emrat e përveçëm të tipave të mëposhtëm: Audata, August-i, Aurora, Australi-a, Centaur-i, Glauk-u, Kaukazi, Mauritani-a, etj.; Euripidi, Eube-ja, Euklid-i, Pleurat-i, Teuta etj.

Shënim. Në pajtim me shqiptimin e ngulitur prej kohësh, shkruhen me v: Evropë, evropian, nevralgji, nevralgjik, nevrasteni, nevrastenik, nevrik.

dh) Fjalët dhe emrat e përveçëm të brumit latin-roman me kua, kue, kui, kuo shkruhen me tog zanor (ua, ue, ui, uo): akuarel, ekuacion, ekuator, kuadër, kuadrat, kuadraturë, kualifikim, kualifikoj, (teoria e) kuanteve, kuarc, kuartet, (epoka) kuaternare etj.; kuestor, kuesturë, sekuestrim, sekuestroj etj.; lokuium, kuintal, kuitancë, kuintesencë, kuintet, Kuintiliani, rekuiem etj. kuorum, kuotë, kuotizacion etj.

e) Fjalët e huaja me -oo- shkruhen me -oo- edhe në shqipen: alkool, kooperativë, kooptoj, koordinatë, zoogjeografi, zoolog, zoomorfizëm, zoopatologji, zooteknik etj.

ë) Në pajtim me shqiptimin e sotëm letrar, fjalët me burim nga latinishtja a nga gjuhët romane, si edhe nga greqishtja, të cilat në gjuhën shqipe kanë një c të ndjekur nga zanorja e ose i, shkruhen me e dhe jo me ç a me s: acetik, acetilen, celebrim, celebroj, celofan, celsius, celulë, celulozë, censurë, centilitër, centimetër, central, centralist, centralizoj, centurion, cerebral, ceremoni, certifikatë, cezurë, docent, dolikocefal, kancelar, koncept, koncert, koncesion, leucemi, lice, procedoj, procedurë, proces, tercet etj.; agjenci, agjitacion, cikël, ciklamin, ciklik, ciklon, ciklostil, cilindër, cilindrik, cinik, cinizëm, cinkograf, cinkografi, cirilik, cirk, cisternë, citat, citoj, citrat, civil, deficit, delegacion, elektricist, garanci, incizoj, klasicist, klasicizëm, konciz, laicizëm, nacional, provinicial, publicist, publicistikë, racion, recension, revolucion, social, socialist, special, specialist, stoicizëm, suficit, terocien, terciar etj. Po kështu shkruhet bilanc-i (dhe jo bilanç-i).
Në pajtim me këtë rregull edhe emrat e përveçëm të kësaj kategorie shkruhen me c: Barcelona, Centauri, Cerberi, Cezari, Cikladet, Ciklopi, Cincinati, Horaci, Lukreci, Marciali, Mecena, Sicilia (po kështu sicilian) etj.

Shënim 1. Në pajtim me shqiptimin e ngulitur prej kohësh, shkruhen me ç: biçikletë, çiklist, çiklizëm, çimento, motoçikletë.

Shënim 2. Shkruhen me s fjalët: dispensë, mensë.

Shënim 3. Shkruhen me k fjalët: keltët, keltishtja, kibernetikë, kimograf, kinema, makinë, makineri, makinist dhe me q fjalët: autoqfal, dioqezë, Maqedoni-a, maqedonas, qeramikë.
f) Shkruhen me d, t e jo me dh, th fjalët ndërkombëtare me burim nga greqishtja e vjetër si: anhidrik, anodë, daktilik, dekagram, dekametër, deltë, demografi, demokraci, demon, despot (sundimtar absolut), despotik, diademë, diafragmë, diagnozë, diagonale, dialekt, dialektikë, dialog, diamant, diametër, diatezë, didaktik, didaskalik, diplomaci, diplomat, diplomë, disk, hidrogjen, katodë, metodë, olimpiadë, ortopedi, pedagog, pedagogji etj.; antipati, antologji, antropolog, apati, apoteozë, aritmetikë, aritmi, artrit, ateist, ateizëm, atlet, atletikë, ditiramb, entuziazëm, epitet, estetikë, eter, etnografi, etnos, hipotekë, hipotenuzë, hipotezë, kartotekë, liturgji, maratonë, metil, paleontologji, patolog, patos, politeizëm, ritëm, simpati, sintezë, telepati, temë, teologji, teoremë, teori, terapi, termik, termodinamikë, termometër, termos etj.

Shkruhen me d, t edhe emrat e përveçëm grekë e romakë të tipave të mëposhtëm: Adonis, Afërdita, Alkibiadi, Dedali, Delfi, Demetra, Demokriti, Demosteni, Diodori, Diogjeni, Diomedi, Dioskurët, Dodona, Driadat, Edesa, Epaminonda, Fedra, Heliodri, Herodoti, Hesiodi, Hidra, Iliada, Gadishulli Kalkidik, Kolkida, Leonida, Medeja, Miltiadi, Odiseu, Pelidi, Pindari, Simonidi, Teodoriku etj.; Atena, Etiopia, Itaka, Jugurta, Kartagjena, Korinti, Maratona, Metodi, Mitridati, Prometeu, Skitia, Teba, Teodosi, Teokriti, Termopilet, Tesalia, Tesprotia, tesprotët, Teti, Tezeu, Trakia, Zakinti etj.

Shënim. Në pajtim me shqiptimin e ngulitur prej kohësh, shkruhen me dh, th (dhe jo me d, t) fjalët dhe emrat e përveçëm që janë kryesisht të përdorimit popullor: dhaskal, dhespot (titull fetar), dhiqel, dhisk (=tabaka), dhjak, idhull, llambadhë; themel, thimjam etj.; Alqiviadh, Dhimitër, Dhimosten; Athina, Athinë, Kleanth, Thanas, Themistokli, Theodor, Theohar etj.
g) Në pajtim me shqiptimin e sotëm letrar, fjalët që burojnë kryesisht nga greqishtja, latinishtja e nga gjuhët romane dhe që në shqipen e kanë një gj të ndjekur nga një e ose i, shkruhen me gj e jo me g: agjenci, agjent, agjitacion, agjitator, angjinare, angjinë, antropologji, biologji, borgjez, dermatologji, dramaturgji, egjidë, elegji, embriologji, energjetikë, energjik, farmakologji, filologji, fiziologji, gjenealogji, gjeneral, gjenerator, gjenetik, gjenezë, gjeni, gjeometri, gjimnastikë, gjimnaz, gjinekolog, gjips, hegjemoni, hemorragji, heterogjen, hidrogjen, higjienë, homogjen, ideologji, kirurgji, legjendë, legjion, legjislacion, letargji, liturgji, logjikë, meteorologji, metodologji, mitologji, oksigjen, orgji, patologji, pedagogji, psikologji, regjent, regjim, regjistër, sugjestion, trilogji etj.

Me gj shkruhen edhe emrat e përveçëm të këtyre tipave: Augjias, Egjeu, Egjina, Egjipti, Egjisti, Eugjen, Gjeorgjia, Ifigjenia, Virgjili etj. Po me gj shkruhen edhe fjalët e emrat e përveçëm nga burime të tjera, të cilat janë të tipave fonetikë të mëposhtëm, si algjebër, algjebrik, gjiboni, gjirafë etj.; Algjer-i, Belgjikë, Gjermani-a, Gjenevë, Gjenovë, Gjibraltar-i etj.

Shënim. Shkruhen me xh dhe jo me gj fjalët: inxhinier, xhandar, xhandarmëri, xhenier, xhenio, xhirim, xhiro, xhiroj, inxhinieri, xhirues, si dhe fjalët xhaketë, xhelatinë, xhol.

gj) Shkruhen me j dhe jo me zh ose xh fjalët: adjutant, juri, juridik, jurist, jurisprudencë, projekt, projektim, projektoj, projektor (aparat), projektligj, projektplan.

Por shkruhen me zh fjalët që janë marrë drejtpërdrejt nga frëngjishtja: grupazh, shantazh, zhargon, zhongler, zhul (term i fizikës), zhupon etj.

h) Shkruhen me gn fjalët: agnosticizëm, gneis, gnom, gnoseologji, gnostik, inkognito, magnat, magnet, magnetik-e, magnetizëm, magnetizoj, magnetofon, magnez, dhe me nj fjalët: dinjitet, injorancë, injorant, linjit, manoljie etj.

i) Shkruhen me h- fjalët që në greqishten e vjetër fillonin me zanore të aspiruar dhe në latinishten me h-: halucionacion, harmoni, harmonikë, harmonizoj, harpë, hebraik, hedonizëm, hegjemoni, hekatombë, hektolitër, hekzaklorant, hekzametër, helenist, helikë, helikopter, heliocentrik, helioterapi, helotët, hematit, hemisferë, hemofili, hemoglobinë, herbarium, herbicidet, heretik, hermetik, hero, heterogjen, hibrid, hidraulik, hidrocentral, hidrogjen, hierarki, hieroglif, hieromonak, higrometër, higjienë, himn, hiperbolë, hipertension, hipizëm, hipnozë, hipodrom, hipokrit, hipotekë, hipotenuzë, hipotezë, histeri, histologji, histori, homogjen, homonimi, horizont, horizontal, hormon, humanizëm, humus etj.; po kështu: inhalacion, inherent, koherent, kohezion, rehabilitoj etj.
Po kështu shkruhen edhe emrat e përveçëm të këtyre tipave, si edhe emrat e tjerë të përveçëm që janë fonetikisht të ngjashëm me ta: Halikarnasi, Hamilkari, Hanibali, Hasdrubali, Hefesti, Hektori, Hekuba, Helespont-i, Helena, Heliodori, Hera, Herakliu, Herkuli, Hermiona, Hermogjeni, Herodi, Herodoti, Hesiku, Hesiodi, Hidra, Hiparku, Hiperioni, Hipia, Hipokrati, Hipoliti, Homeri, Honori, Horaci etj. Habarovsk, Hagë, Hamburg, Hanoi, Hanover, Hanxhou, Harkov, Havai, Havanë, Helsinki, Himalaja, Holandë, Honduras, Hungari etj.

j) Shkruhen me k fjalët e terminologjisë tekniko-shkencore ndërkombëtare që e kanë burimin te greqishtja e vjetër dhe që përmbajnë tema, të cilat në këtë gjuhë kanë pasur një

h): anakronik, anakronizëm, anarki, anarkik, anarkist, arkaik, arkaizëm, arkeolog, arkeologji, arkimandrit, arkipelag, arkitekt, arkitekturë, arkiv, arkivol, brakicefal, brakiopodët, ekinokok, iktiolog, hipokondri, kalkopirit, kameleon, kaos, kaotik, karakter, karakteristik, kilogram, kilometër, kimerik, kimi, kirurg, klor, kloroform, koreografi, krestomaci, krizantemë, krom, kronik, kronikë, kronometër, monark, monarki, oligarki, orkestër, pakidermë, psikiatër, psikik, psikologji, psikozë, teknikë, teknologji, tektonik, trokaik etj. Po kështu shkruhen edhe emrat e përveçëm të këtij tipi: Akili, Aristarku, Arkiloku, Arkimedi, Baku (=Dionizi), Eskili, Kaonia, Karonti, Kerson, Kimera, Kios, Kolkida, Kriseida, Krisi, Krisipi, Krisobuli, Kronosi, Plutarku, Telemaku etj.

k) Fjalët e huaja që në gjuhën shqipe kanë një -ks- të ndjekur nga një -io-, në pajtim me shqiptimin e sotëm letrar, shkruhen me ks dhe jo me kc: abstraksion, aksiomë, aksion, deduksion, diksion, fraksion, fraksionist, funksion, funksionar, funksionoj, induksion, infeksion, injeksion, juridiksion, leksion, reaksion, sanksion, seleksion, seleksionoj etj.

l) Shkruhen me ks fjalët e burimit grek a latin që përmbajnë elementin eks të ndjekur nga një bashkëtingëllore, dhe me kz fjalët e po këtij burimi që përmbajnë elementin eks të ndjekur nga një zanore ose temat ekzo a hekza: ekscentrik, ekskavator, ekskluziv, ekskursion, ekspansion, ekspeditë, eksperiment, ekspertizë, eksplorator, eksploroj, eksponent, eksport, ekspozitë, ekspres, ekspresionizëm, ekspresiv, ekstazë, eksterritorialitet, ekstravagant etj.; ekzakt, ekzaltoj, ekzaminim, ekzaminoj, (tifo) ekzantematike, ekzekutim, ekzekutiv, ekzekutoj, ekzemë, ekzistencë, ekzistencializëm etj. ekzocentrik, ekzodermë, ekzogami, ekzogjen, ekzotik etj.; hekzametër, hekzaklorant etj.

ll) Fjalët e huaja që burojnë nga greqishtja e vjetër, nga latinishtja ose nga gjuhët romane dhe që në këto gjuhë kanë një l të thjeshtë ose dyfishe, shkruhen me l dhe jo me ll: alfa, algoritëm, ambulancë, ambulant, anakolutë, analogji, antologji, arkipelag, atlas, balonë, balsam, bilanc, biolog, bulon, deklaratë, dialog, diplomaci, diplomat, diplomë, duel, etimologji, fals, falsifikim, filokserë, filologji, filoshqiptar, fiziologji, flotë, galaktikë, gjenealogji, gjeolog, gjeologji, halogjen, halucinacion, hemoglobinë, holandez, hotel, ideolog, ideologji, ilustrim, iluzion, kilogram, klasë, klasik, kolonë, koloni, kolonial, kolonjë, kolos, kolosal, komplot, komplotoj, konsultë, leksikologji, logaritëm, logjikë, lokomotivë, lord, lotari, luks, lustër, lustroj, metalurgji, mitologji, monolog, nekrologji, neologjizëm, patolog, pilot, plagjiat, plan, planet, planifikim, plastik, platin, psalm, psalt, psikolog, rezultat, sandale, silogjizëm, skolastikë, sociologji, spekuloj, tabelë, tablo, tautologji, teologji, terminologji, vulgar, vulgarizim, zoologji etj.

Po kështu shkruhen edhe emrat e përveçëm të këtij tipi: Apolon-i, Apoloni-a, Atlantida, Atlantiku, Babiloni-a, Galatea, Lukian-i, Pelagonia, Peloponezi, Penelopa, Platoni, Plutoni, Salusti, Scila etj.

Shënim 1. Në pajtim me shqiptimin popullor të ngulitur prej kohësh, shkruhen me ll fjalët: apostull, atllas (lloj pëlhure), ballkanik, ballkan, ballkon, bllok, bllokadë, bllokoj, bullgar, busull, çokollatë, dishepull, galloshe, gorillë, gumallak, idhull, kabllo, kabllogram, karamanjollë, kapitull, kapitullim, kapitulloj, konsull, konsullatë, kontroll, kontrolloj, kontrollor, llogari, llogaritar, nitrollak, orakull, pallto, pllakat, protokoll, sallam, sellë, sallon, vullkan, vullkanik, vullkanizim etj.

Shënim 2. Ndër fjalët me burim nga anglishtja shkruhen me l: gol, golf, kloun, klub, etj. dhe me ll: basketboll, futboll, hendboll, penallti, volejboll etj.

Shënim 3. Ndër fjalët e reja të burimit sllav shkruhen me l: bolshevik, kolkoz, komsomolas, polak, polka, etj. dhe me ll: bjellorus, sllav, sllovak, slloven etj.; po kështu Bjellorusi.

m) Fjalët e huaja që janë marrë kryesisht nga gjuhët romane dhe që në këto gjuhë kanë rr, shkruhen me rr dhe jo me r: arrestim, arrestoj, arrivist, arrogancë, barrikadë, hemorragji, irracional, karrierë, karrierist, katarr, korrekt, korrekturë, korrelacion, korrespondencë, korridor, korrigjoj, serrë, surrealizëm, surrogat, tarracë, territor, terror, terrorist etj.

n) Fjalët që burojnë nga greqishtja e vjetër, nga latinishtja a nga gjuhët romane ose që janë formuar në shqipen me elemente të këtyre gjuhëve, tek të cilat ato kanë një s ndërzanore, shkruhen me z: afazi, aferezë, analizë, apoteozë, artizanat, aziatik, azil, bazë, bazilikë, bizon, cezurë, dezertim, dezertoj, dezinfektim, dezinfektoj, diagnozë, diatezë, dierezë, dinozaur, dioqezë, divizion, dizenteri, dozë, entuziazëm, ezofag, fazë, fibrozë, filozof, filozofi, fizikan, fizikë, fiziologji, fizionomi, fizioterapi (po kështu edhe fizkulturë e fizkulturist), fiziatër, frazeologji, gjenezë, herezi, hidrolizë, hipnozë, hipokrizi, hipostazë, hipotenuzë, hipotezë, izoglosë, izolacionizëm, izolant, izomorf, izotermik, izotop, kazermë, kazino, kazuistikë, klauzolë, krizantemë, krizë, laktozë, metamorfozë, metastazë, metatezë, mezolit, mizantrop, mozaik, muzë, muzikë, muzikor, narkozë, osmozë, parazit, poezi, pozë, pozicion, pozitë, pozitiv, prognozë, protezë, prozë, prozodi, psikozë, rezervë, rezolutë, rezultat, sintezë, teozofi, tezë, trombozë, uzinë, uzurpator, uzurpoj, vazelinë, vizitë, vizitoj etj.

Me z shkruhen edhe emrat e përveçëm të këtij tipi: Azia, Belizari, Brazili, Dionizi, Elizi, Elizabeta, Ezopi, Izokrati, Kazablanka, Lozana, Piza, Polinezia, Raguza, Sirakuza, Tezeu, Tuniz, Tunizia, Venezuela etj.

Shënim. Shkruhen me s fjalët: president, presidium, dhe emrat e përveçëm: Efesi, Hesiodi, Hesiku, Isaia, Isidori, Isis, Kresi, Lisia, Lisimaku, Lisistrata, Mesopotamia, Moisiu, Nausika, Osiris, Pisistrati, Poseidoni, Teodosi, Trasibuli, Trasimeni etj.

nj) Shkruhen me -z- në të gjitha trajtat e tyre fjalët me -izëm e - azëm: abstraksionizëm, abstraksionizmi; arkaizëm, arkaizmi; ateizëm, ateizmi; bektashizëm, bektashizmi; burokratizëm, burokratizmi; centralizëm, centralizmi; djathtizëm, djathtizmi; dualizëm, dualizmi; feudalizëm, feudalizmi; globalizëm, globalizmi; historizëm, historizmi; iluminizëm, iluminizmi; klasicizëm, klasicizmi; komunizëm, komunizmi; leninizëm, leninizmi; majtizëm, majtizmi; marksizëm, marksizmi; optimizëm, optimizmi; prizëm, prizmi; realizëm, realizmi; revizionizëm, revizionizmi; romantizëm, romantizmi; silogjizëm, silogjizmi; socializëm, socializmi; shkollarizëm, shkollarizmi; shovinizëm, shovinizmi; zyrtarizëm, zyrtarizmi etj.; entuziazëm, entuziazmi; pleonazëm, pleonazmi; sarkazëm, sarkazmi etj.

o) Shkruhen me -zm- dhe jo me -sm- fjalët që burojnë nga greqishtja e vjetër ose që janë ndërtuar me elemente të kësaj gjuhe: fantazmë, kozmetik, kozmik, kozmodrom, kozmogoni, kozmografi, kozmonaut, kozmopolit, kozmos, plazmë, protoplazmë, sizmik, sizmograf etj.

p) Shkruhen me -z- fjalët e huaja të formuara me parashtesën dez- (des-) kur s-ja e parashtesën gjendet në pozicion ndërzanor: dezinfektoj, dezinfektim, dezintegroj, dezintegrim etj.

q) Fjalët me parashtesën dis- përpara një bashkëtingëlloreje dhe ato me parashtesën trans- e ruajnë gjithmonë s-në e parashtesës në shkrim: disharmoni, diskreditoj, diskriminim, disnivel, dispeçer, disponoj, dispozitë etj.; transaksion, transatlantik, transfuzion, transistor, transit, transliterim, transmetim, transoqeanik, transport etj.

r) Shkruhen me s fjalët e huaja që në gjuhët e burimit ka -ss-: asimilim, disertacion, glosar, kolos, kolosal, mision, pesimist, regjisor etj.; Abisinia, Asiria, Mesina, Odesa, Tesalia, etj.; po kështu mesapët, molosët etj.

rr) Shkruhen me -s- dhe jo me -z- fjalët e huaja të formuara me anën e parashtesës a- prej fjalësh me s nistore: aseptik, asimetri, asimetrik, asimptotë, asizmik, asocial etj.

§ 37
Shkrimi i emrave të përveçëm të huaj mbështet përgjithësisht në shqiptimin e tyre në gjuhët përkatëse duke iu përshtatur sistemit grafik të shqipes. Me përjashtim të rr-së, bashkëtingëlloret dyfishe të këtyre emrave nuk ruhen në gjuhën shqipe*.
Kështu shkruhen: Aligieri, Atila, Bajron, Bethoven, Bop, Brams, Çehov, Dostojevski, Dvorzhak, Dyma, Eminesku, Fadejev, Gëte, Gorki, Hajne, Hygo, Kamoensi, Karaxhale, Karduçi, Kozhbuk, Kujbishev, Lu Sin, Manxoni, Mickieviç, Monteskjë, Moxart, Myse, Pestaloci, Petëfi, Rabindranat Tagore, Rasin, Saltikov-Shedrin, Sun Jat Sen, Shekspir, Sheli, Shiler, Shopen, Shtajnbek, Tomas Man, Turgeniev, Vagner, Vilhelm Tel, Volter, Xherzhinski, Zhan-Zhak Ruso, etj.; Amazona, Azerbajxhan, Bejrut, Bohemi, Bolonjë, Bombei, Bon, Bordo, Budapest, Bukuresht, Delhi, Dresden, Filipinet, Hagë, Hartun, Havai, Havanë, Helsinki, Jenisei, Johanesburg, Kajro, Kalkuta, Kaukaz, Këln, Kopenhagë, Krakov, Lajpcig, Leningrad, Lihtenshtajn, Liverpul, Lozanë, Luarë, Majakovski, Majer, Mançester, Melburn, Misisipi, Napoli, Neva, Niagara, Nju-Jork, Odesa, Onega, Oslo, Otava, Pragë, Rio-de-Zhanejro, Sahalin, Senë, Sidnei, Sofje, Stockholm, Suez, Tajlandë, Tula, Tunizi, Uashington, Valencia, Varshavë, Vyrtemberg, Xhamajka etj.; Arras, Andorra, Kamberra, Sierra-Leone etj.
*) Në shfaqjen e parë të një emri të kësaj kategorie mund të shënohet në kllapa edhe shkrimi i tij sipas grafisë së gjuhës nga buron.

Shënim 1. Emrat e përveçëm të gjuhëve sllave, pavarësisht nga mënyra e shqiptimit të l-së në këto gjuhë, shkruhen përgjithësisht me l: Arhangelsk, Bajkal, Bjalistok; Blagojev, Bratislava, Dobrolubov, Glinka, Gogol, Jalta, Kaluga, Ladoga, Lermontov, Lobaçevski, Lomonosov, Lodz, Lublin, Ludmila, Lugansk, Lunaçarski, Milan, Milorad, Milosh, Mladenov, Oblomov, Pavlov, Poloni, Ruslan, Sverdlov, Tula, Ural, Vladimir, Vladivostok, Volodarski, Volodja, Vroclav etj.

Shënim 2. Emrat e përveçëm me -ij të burimit rus shkruhen me -i: Belinski, Çajkovski, Dostojevski, Gorki, Musorgski, Stanislavski etj.

Shënim 3. Disa emra të përveçëm me prejardhje të huaj shkruhen sipas traditës së ngulitur prej kohësh në gjuhën shqipe: Bruksel, Kazan, Korfuz, Moskë, Orel, Paris, Selanik, Stamboll, Suedi, Vjenë, Zvicër etj.*

*) Për shkrimin e kategorive të veçanta të emrave të përveçëm me prejardhje të huaj, shih pikat përkatëse të § 36 të këtij kapitulli. 


Gjuha shqipe - Drejtshkrimi i gjuhës shqipe