martedì 25 giugno 2013

SHKRIMI I FJALËVE NJËSH, NDARAS DHE ME VIZË NË MES

SHKRIMI I FJALËVE NJËSH, NDARAS DHE ME VIZË NË MES
§ 67

Shkruhen njësh të gjitha ato njësi që nga pikëpamja leksikore përbëjnë një fjalë të vetme* dhe ndaras ato njësi që janë pjesë e një togfjalëshi, e një lokucioni ose e një emërtimi të përbërë.
*) Për fjalët e këtij tipi që shkruhen me vizë lidhëse ne mes, shih më poshtë § 68.

A. Shkruhen njësh, si një fjalë e vetme, pa vizë në mes:
a) fjalët me parashtesa: antifashist, antiimperialist, i derisotshëm, joantagonist, (folje) jokalimtare, jokapitalist, joproletar, jozyrtar, kundërsulm, kundërvënie, i mëparshëm, i mëvonshëm, mospërfillje, mossulmim, nëndrejtor, nënndarje, nëntoka, i paaftë, paaftësi, i pabesë, i papërshtatshëm, parregullësi, i parregullt, pasiguri, i pashkollë, i pashpresë, i paraçlirimit, parafytyrim, i parakohshëm, parashkollor, (periudha) e pasluftës, prapaskenë, riatdhesim, sipërmarrje etj.;
b) fjalët e përbëra me lidhje përcaktore ndërmjet gjymtyrëve të tyre: anarkosindikalist, armëpushim, asimzenelas, (i, e) ashtuquajtur, bajramcurras, bakërpunues, ballëgjerë, ballëhapur, ballëlart, bashkatdhetar, bashkëjetesë, bashkëveprim, besëlidhje, besëpakë, bishtdhelpër, bojargjend, bojëbizele, bojëçelik, bojëfinjë, bojëgështenjë, bojëgrurë, bojëgjak-e, bojëlimon, bojëmanushaqe, bojëmjaltë, bojëportokall, bojëshegë, bojëtjegull, bojëtullë, bojëvjollcë, bojuthull, bollujsë, botëkuptim, breshkujëse, buzëpaqeshur, buzëqeshur, datëlindje, dëmshpërblim, ditëlindje, disavjeçar-e, dobiprurës, dorëcung, dorështrënguar, dorëzonjë, dredhalesh, dritëshkurtër, druprerës, duarkryq, duarlidhur, duarplot, dyfish, dyvjeçar, dhjetëgarëshi, dhjetëvjeçar, elektromagnetik, elektromekanik, faqebardhë, faqekuq, fatpadalë, fjalëformim, fjalëkryq, fletanketë, fletëdalje, fletëhyrje, fletëlavdërim, fletërrufe, flokëgështenjë, flokëpakrehur, flokëverdhë, fotoekspozitë, fotoreporter, fuqiplotë, furrnaltë, frymëmarrje, gurgdhendës, gurkali, gjeneralkolonel, gjeneralmajor, gjuhëlopë, gjuhënuse, gjysmagjeli, gjysmanalfabet, gjysmëhënë, gjysmëkoloni, gjysmëproletar, gjysmëzyrtar, hekurthyes, hekurudhë, hirplotë, ideoestetik, jashtëshkollor, juglindje, katërkëndësh, këmbëkryq, këmbëngulje, këpucëbërës, kokëfortë, kokëshkëmb, kokulur, korparmatë, krahabishtshkulë, krahëhapur, kryekomandant, kryemjek, kryemjeshtër, kryeqytet, kryeredaktor, kryeradhë, kryerresht, kryetrim, kryevend, kryeveteriner, kundëradmiral, kundërpeshë, kundërpërgjigje, kundërsulm, kundërveprim, leshracullufedredhur, letërnjoftim, liridashës, luftanije, luftënxitës, luledele, lelefilxhan, lulelakër, lulemëllagë, lulemustak, luleshqerrë, luleshtyrdhe, lulëgjake, lulëkuqe, marrëveshje, mesoburrë, mosmarrëveshje, mustaqepadirsur, nacionalçlirimtar, (shtresa) naftëgazmbajtëse, ndihmësministër, ndihmësmjek, ndihmësveteriner, neofashist, orëndreqës, paqedashës, paraardhës, parathënie, paragjykim, parakalim, pararojë, pesëgarësh, pesëmbëdhjetëditëshi, pikëmbështetje, pikënisje, pikëpamje, pikëpyetje, pikësynim, pjesëmarrës, pjesëmarrje, i porsaardhur, i porsalindur, postbllok, prapambetje, praparojë, prapavijë, procesverbal, projektbuxhet, projektplan, pulëbardhë, pulëdushke, qindvjetori, qymyrguri, radiodhënës, radiomarrës, radiopërhapje, rrobalarëse, rrobaqepës, rrugëdalje, socialdemokrat, symbyllyrazi, sypatrembur, syshqiponjë, syzi, shkozëbardhë, shkozëzezë, i shumanshëm, shumëfishi, shumëfishoj, tejkaloj, tejpamës, (e kryer) e tejshkuar, teneqepunues, tetorëshi, trefish, trevjeçar, truprojë, udhëheqës, udhëheqje, udhëkryq, ultratingull, vajguri, vajgursjellës, vendburim, vendkalim, vendlindje, vendqëndrim, vendrojë, vendvarrim, vetëshërbim, vetëvendosje, vojokushas, vullnetmirë, zemërgur, zemërmirë, zëvendëskryeredaktor, zëvendësministër etj.


Shënim. Kur njëra nga gjymtyrët e një fjale të përbërë është e formuar prej pjesësh që lidhen me lidhëzat e ose a, këto pjesë shkruhen me vizë midis tyre: gjuhëhelm-e-thikë, dorë-e-këmbëardhendeja, gushë-e-llërë-e-gjibardhoshe, shpirt-e-zemërmadh etj. Kur gjymtyrët e para të dy a më shumë fjalëve të përbëra, të renditura njëra pas tjetrës, përcaktohen nga një gjymtyrë e përbashkët, që, për arsye shkurtimi, shënohet vetëm një herë, pas tyre vihet një vizë lidhëse: (lejë) dy- a triditëshe, (botime) dy- e shumëvëllimëshe, (paketë) katër- a pesëkilogramëshe, (ndërtesa) një- a mëshumëkatëse, (periudha) e para- dhe pasçlirimit, (enë) pesë-, dhjetë- dhe njëzetlirërshe, (ndërtesa) pesë- dhe gjashtëkatëshe, (kamionë) tre-, pesë dhe shtatëtonësh, (moshat) tridhjetë-, dyzet- dhe pesëdhjetëvjeçare etj.

c) fjalët e përbëra, gjymtyrët e të cilave kanë lidhje këpujore ndërmjet tyre, kur ato janë njësuar plotësisht si nga ana leksikore, ashtu edhe nga ana gramatikore: ballafaqe, deledash, dritëhije, fytafyt, gushtovjeshtë, hekurbeton, juglindje, juglindor-e, këmbadoras, marrëdhënie, pulagjel, shitblerje, shurdhmemec, verilindje, verilindor, veriperëndim, veriperëndimor, veshmbathje etj.;

ç) fjalët e përbëra e të përngjitura, të cilat janë ngulitur prej kohësh si të tilla në gjuhë, si nga ana leksikore, ashtu edhe nga ana gramatikore:
emra: (ditët e) djegagurit, ecejaket, farefis, fëshfëshe, gjëegjëzë, qoftëlargu, rraketake, shtrojerë, shtojzovalle, taketuke, thashetheme etj.;
mbiemra: i pakundshoq, (i, e) pandonjëmjetë, (i, e) patëmetë, (i, e) pavënerë etj.;
numërorë: numërorët themelorë që nga njëmbëdhjetë deri në nëntëmbëdhjetë, ata që tregojnë dhjetëshe, qindëshe, si edhe numërorët rreshtorë, pavarësisht nga numri i pjesëve përbërëse të tyre: njëmbëdhjetë, dymbëdhjetë, trembëdhjetë... nëntëmbëdhjetë; tridhjetë, pesëdhjetë, gjashtëdhjetë, nëntëdhjetë etj.; njëqind, dyqind, treqind, katërqind, etj.; (i, e) njëmbëdhjetë, (i, e) dymbëdhjetë, (i, e) njëzetenjë, (i, e) tridhjetenëntë, (i, e) pesëdhjetegjashtë, (i, e) njëqindedytë, (i, e) pesëqindegjatëdhjetekatërt, (i, e) njëmilionepesëqindmijekatërqindeshtatëdhjetetretë, (i, e) njëmiliardtë etj.;
përemra të pakufishëm: akëcili, akëkush, akësecili, asgjë, askurkush, askush, asnjeri, asnjë, asnjëri, cilido, cilëtdo, çdo, çdonjëri, çfarëdo, diçka, dikush, disa, gjëkafshë, gjësendi, gjithçka, gjithfarë, gjithkush, gjithsecili, gjithsekush, kurrfarë, kurrgjë, kushdo, mosgjë, moskush, mosnjeri, ndoca, ndokush, ndonjë, ndonjëri, pakkush, rrallëkush, secili, secilido, sekush, sikush, shumëkush, tjetërkush etj.;
ndajfolje e parafjalë: afërmendsh, anembanë, asgjëmangut, askund, askurrë, asnjëherë, asodore, aspak, atëbotë, atëherë, ballaballas, ballafaqas, brendapërbrenda, brezahypthi, buzagas, dalngadalë, doemos, domosdo, dosido, drejtpërdrejt, drejtpërsëdrejti, duarplot, gjithandej, gjithaq, gjithashtu, gjithherë, gjithkah, gjithkund, gjithmonë, gjithnjë, gjithsaherë, hëpërhë, kalaqafë, kësisoj, këmbëcingthi, kësodore, kurrkund, kryekëput, kryekreje, matanë, mbasandaj, mbasdite, medoemos, menjëherë, mezi, mënjanë, mirëfilli, moskund, moskurrë, mosnjëherë, ndërdysh, ndërdyshas, ndërkohë, ndërmjet, ndonjëherë, ndopak, (më vjen) ndoresh, ngadita, ngado, ngaherë, ngandonjëherë, nganjëherë, (zë) ngoje, (marr) ngrykë, njëditëzaj, njëfish, njëherazi, njëherë, njëlloj, njëmend, njënatëzaj, njëzëri, padashur, pakmos, paksa, paksëpaku, papritmas, parandej, pardje, pareshtur, parmbrëmë, parvjet, paskëtaj, pasnesër, patjetër, përballë, përbrenda, përbri, përditë, përdhe, përdhuni, përfaqe, përfundi, përgjithmonë, përgjumësh, përgjysmë, përherë, përjashta, përjetë, përkëtej, përkrah, përkundra, përkundrejt, përmbrapa, përmendsh, përmes, përnatë, përnjëherë, përnjëherësh, përnjëmend, përpara, përpjetë, përplot, përposh, përqark, përreth, përsëri, përsipër, përtej, prapëseprapë, qëkur, qëmoti, pëparë, rrallëherë, sakaq, sakaqherë, sidokudo, sidoqoftë, shpeshherë, tatëpjetë, tejetej, tejembanë, tejpërtej, tekdo, topgropthi, vetvetiu etj.;
lidhëza: derisa, domethënë, gjersa, gjithsaherë, kurse, megjithatë, megjithëkëtë, megjithëse, meqenëse, meqë, mirëpo, ndërsa, ndonëse, ndoqë, ngaqë, ngase, nëse, përderisa, përveçqë, përveçse, poqë, porsa, porse, porsi, posa, prejse, qëkurse, saku, sapo, sesa, siç, sikur, sikurse, tekqë, teksa, veçse etj.;
pjesëza: kushedi, pikësëpari, pothuaj, pothuajse, seç, thuajse etj.;
pasthirrma: obobo, ububu, falemnderit, faleminderit, lamtumirë, mirëmëngjes, mirëdita, mirëmbrëma, mirupafshim, tungjatjeta etj.

Shënim. Dallohen në shkrim ndajfoljet: atëherë, njëherë, përse, qëkur, (qyshkur), lidhëzat nëse, ngase, sesa, pjesëza seç nga përdorimet e pjesëve përbërëse të tyre si fjalë të veçanta: kam qenë i vogël atëherë; atëherë, po vij edhe unë e ju, por: as këtë herë, as atë herë; njëherë e një kohë, por: vjen një herë në javë; përse nuk erdhi?; por: për se është fjala?; kam qëkur (qyshkur) që po të pres, por: që kur ra dëborë u ftoh moti; nëse nuk vjen, më shkruaj, por: në se e mbështet ti këtë mendim?; nuk erdhi ngase s'kish kohë, por: nga se bëhet letra?; më mirë të vdesësh më këmbë, sesa të rrosh i gjunjëzuar, por: nuk e di se sa është ora; seç këndon bilbili, por: nuk e di se ç'i ka ngjarë.

d) mbaresa dhe nyja e prapme tek emrat e mbiemrat e huaj të personave e të vendeve: poemat e Bajronit, "Don Kishoti" i Cervantesit, operat e Çajkovskit, lertat e Dora d'Istrias, jeta e Engelsit, "Dasma e Figaros", veprat e Gëtes, vendlindja e Glinkës, veprat e Leninit, skulpturat e Mikelanxhelos, veprat e Rabëlesë, novelat e Stefan Cvajgut, tragjeditë e Shekspirit, "Lufta dhe paqja" e Tolstoit, operat e Verdit, romanet e Viktor Hygoit, tregimet e Xhek Londonit etj.; porti i Akrës, Ankaraja, ishulli i Borneos, ngushtica e Gjibraltarit, popullsia e Honolulusë, fushat e Irakut, pyejt e Kongos, kryeqyteti i Paraguait, rrugët e Rio-de-Zhanejros, ishulli i Rodosit, ishulli i Tahitit, Republika e Zambias etj. B. Shkruhen ndaras:

a) togëfjalëshat e tipit emër në emërore + emër në rasën rrjedhore, gjymtyrët e të cilëve ruajnë pavarësinë e tyre morfologjike: bar blete, bar ethesh, bar gjaku, bar miu, bar peshku, bar veshi, bar zemre, lule blete, lule dhensh, lule gjaku, lule sahati, lule sapuni, lule shqerrash, vaj peshku etj.
Po kështu shkruhen edhe togfjalëshat me kuptim mbiemëror, të përbërë nga emrat bojë ose ngjyrë dhe një emër në rrjedhore: bojë (ngjyrë) argjendi, bojë (ngjyrë) ari, bojë arre, bojë deti, bojë dheu, bojë gruri, bojë hiri, bojë limoni, bojë mishi, bojë mjalti, bojë plumbi, bojë preshi, bojë qielli, bojë shege, bojë tulle, bojë ulliri, bojë uthulle, bojë vaji etj.

Shënim. Në pajtim me përdorimin e sotëm emërtimet gjel deti, lule dielli, panxhar sheqeri mund të shkruhen edhe njësh, si fjalë të vetme: gjeldeti, luledielli, panxharsheqeri.

b) ndajfoljet dhe lokucionet ndajfoljore si: së afërmi, së bashku, së dyti, së fundi, së jashtmi, së larti, së paku, së pari, së toku, së thelli; më së fundi, më së miri; për së afërmi, për së gjalli, për së largu, për së mbari etj.; më dysh, më tresh, më katërsh; për një, për dy, për tre etj.
c) lokucionet ndajfoljore të formuara nga dy fjalë, të njëjta ose të ndryshme, të lidhura në mes tyre me një parafjalë se me lidhëzën e: këmbë mbi këmbë; ditë me ditë; nata me natë; buzë më buzë, dorë më dorë, gojë më gojë, grykë më grykë, kokë më kokë, kot më kot, krah më krah, majë më majë, qoshe më qoshe, sy më sy, thikë më thikë, vesh më vesh; ca nga ca, dy nga dy, një nga një, tre nga tre; rrugë pa rrugë, punë pa punë; brez pas brezi, herë pas here, kohë pas kohe; aty për aty, ballë për ballë, ditë për ditë, dorë për dorë, dhëmb për dhëmb, fjalë për fjalë, krah për krah, mes për mes, mot për mot, një për një, pikë për pikë, sot për sot, sy për sy, tani për tani, vit për vit etj.; fund e krye, fund e majë, kokë e këmbë, lesh e li; qesh e ngjesh, shkel e shko, mirë e tumirë, keq e tukeq; mbarë e prap, rreth e (për)qark, rreth e rrotull, veç e veç etj.;
ç) ndërtimet e tipit me ose për + emër në kallëzore të pashquar, me vlerë kryesisht ndajfoljore: me ditë, me hir, me kohë, me natë, me ngut, me padurim, me pahir, me radhë, me rend, me vrap; për shembull, me të pabesë etj., po kështu edhe (më ra) ndër mend; (e la) pas dore etj.

d) numërorët themelorë të formuar me pjesëmarrjen e fjalëve mijë, milion, miliard etj. dhe pjesët përbërëse të një numërori themelor, të lidhura me lidhëzën e: një mijë, dy mijë, tri mijë, dhjetë mijë, pesëmbëdhjetë mijë, dyzet mijë, dyqind mijë, një milion, dy milion..., një miliard, dy miliard... etj.; njëzet e një, njëzet e shtatë, tridhjetë e dy, dyzet e katër, shtatëdhjetë e tre, njëqind e një, njëqind e trembëdhjetë, treqind e pesëdhjetë e katër, një mijë e nëntqind e shtatëdhjetë e tre, njëzet e tetë mijë e katërqind e pesëdhjetë e shtatë, një milion e pesëqind mijë e dyqind e dymbëdhjetë etj.;

dh) lokucionet parafjalore ose lidhëzore si: aq sa; ashtu si; deri ku, deri kur, deri në, deri te; duke qenë se; edhe pse, edhe sikur; gjer kur, gjer në, gjer te; kaq sa; kështu që; kurdo që; mjaft që; në është se, në qoftë se; në mënyrë që, në rast se; ngado që; po që se, po të jetë se; që në, që se, që te; qysh se; sado që; sapo që; si edhe; sido që; tekdo që; vetëm se etj.;

e) shprehjet emërore për qind, për mijë etj.; pesë për qind, qind për qind, njëqind e pesëdhjetë e pesë për qind, dyqind për mijë; 8 për qind, 120 për qind, 50 për mijë etj.*;

*) Shenjat % (për qind) dhe ‰ (për mijë) mund të përdoren vetëm pas një numri të shënuar me shifra: 5%, 90 %, 80‰.

ë) pjesëza u e trajtave pësore-vetvetore, kur ndodhet para foljes: u afrova, u kërkua, u lodhëm, u nisëm etj.;
f) lokucionet pasthirrmore që shprehin përshëndetje, urime, falënderime, ngushëllime, etj., pjesët përbërëse të të cilave e ruajnë pavarësinë gramatikore: Mbeçi me shëndet!, Mirë ardhshi!, Mirë ju gjetshim!, Mirë se erdhe!, Mirë se ju gjeta!, Mirë se erdhët!, Mirë se vjen!, Mirë se na vjen!, Mirë se vini!, Mirë se të vini!, Puna mbarë!, Punë të mbarë!, Udha mbarë!, Udhë të mbarë!, Mbarë pastë!, Nga mot gëzuar!, E paçim me jetë!, Për shumë vjet!, Për shumë vjet gëzuar!, Qofshi shëndoshë!, Me shëndet!, Shëndet paç!, Shëndet paçi!, Shëndet paçin! etj.;Ju falemi nderit! Të falem nderit! etj.; Kryet shëndoshë! Qofshi vetë! Të rrosh vetë!, Vetë shëndoshë! etj. Po kështu shkruhen edhe: Si urdhëron! Si urdhëroni! etj.

§ 68
Shkruhen me vizë lidhëse në mes:

a) formimet e përftuara nga përsëritje e një fjale në të njejtën trajtë ose në trajta të ndryshme, nga bashkimi i dy antonimeve, i dy numërorëve themelorë (për të shënuar një sasi të përafërt), formimet onomatopeike të përftuara nga përsëritje e një fjale në të njëjtën trajtë ose në trajtë të ndryshuar: copë-copë, çika-çika, duar-duar, fije-fije, fletë-fletë, grigje-gjrigje, grupe-grupe, gunga-gunga, herë-herë, kokrra-kokrra, kortarë-kortarë, kuti-kuti, lara-lara, lloj-lloj, ngjyra-ngjyra, palë-palë, petë-petë, pikapika, pjesë-pjesë, radhë-radhë, rripa-rripa, shkallë-shkallë, togje-togje, tufa-tufa, thela-thela, valë-valë, vende-vende, vise-vise, vrima-vrima, xhunga-xhunga, zhele-zhele etj.; njëri-tjetri, shoqi-shoqin, etj.; çalë-çalë, fort-fort, gati-gati, hollë-hollë, rëndë-rëndë, shumë-shumë, vonë-vonë etj. aty-këtu, hyrje-dalje, (punëtorët e) ngarkim-shkarkimit, poshtë-lart, pritje-përcjellje, vajtje-ardhje etj.; dy-tri orë, dhjetë-pesëmbdhjetë vjet, 10-15 vjet, katër-pesë veta, pesë-gjashtë ditë, 5-6 ditë, afate dy-tre mujore, periudha njëzettridhjetëvjeçare etj.; bam-bam, ciu-ciu, dër-dër, fiu-fiu, ham-ham, hum-hum, kuak-kuak, llap-llap, osh-osh, tak,tak, zdruj-zdruj, etj.; bam-bum, fap-fup, gau-giu, ham-hum, paf-puf, tik-tak, etj.; gëk-mëk, lecka-pecka, qorr-morr etj.;

b) emërtimet e përbëra të njësive të matjes: ditë-njeri, ditë-punë, gram-molekulë, kal-fuqi, kuaj-fuqi, kilovatorë, orë-makinë, orë-normë, orë-njeri, ton-kilometër, vit-dritë etj. Kështu shkruhen edhe emërtimet e përbëra të njësive të ndryshme të klasifikimit: grup-kulturë, grup-mallra, grup-moshë etj.;

c) emërtimet jo të thjeshta me lidhje këpujore plotësuese ose me lidhje përcaktore-ndajshtimore ndërmjet pjesëve përbërëse të tyre: bar-bufe, bar-lulishte, hotel-restorant, kafe-restorant, miniera e hekur-nikelit, (trajta) pësore-vetvetore, postë-telegraf-telefon etj.; dhomë-muze, shtëpi-muze, qytet-muze, qytet-hero, dyqan-shtëpi, hotel-pension, vagon-cisternë, vagon-restorant, vinç-kullë, vinç-urë, sëpatë-daltë, organizatë-bazë, (punimet e) shpim-kërkimit, (brigada e) shpim-shfrytëzimit; të shpim-vlerësimit, plan-detyrë, qen-ujk etj.;
ç) formimet terminologjike të tipit: (raketa) ajër-ajër, ajër-toke; tokë-ajër, tokë-tokë etj.;

d) formimet e tjera jo të thjeshta, kryesisht mbiemërore, pjesët e të cilave kanë midis tyre lidhje këpujore që shprehin marrëdhënie plotësuese ose të ndërsjellta: agraro-industrial, analitiko-sintetik, bujqësor-industrial, ekonomiko-shoqëror, historiko-gjeografik, politiko-kulturor, politikoshoqëror, tekniko-material, ushtarako-politik etj.; afro-aziatik, anglo-amerikan, austro-hungarez, balto-sllav, frankogjerman, greko-romak, shqiptaro-grek, trako-ilir etj.*; fjalor frëngjisht-shqip, fjalor latinisht-shqip, fjalor shqip-rusishtfrëngjisht etj.
Po kështu shkruhen marksizëm-leninizëm, marksist-leninist, marksiste-leniniste.

*) Kur formimet e këtij tipi shënojnë njësi etnike ose gjuhësore të ngulitura historikisht, shkruhen pa vizë në mes, si fjalë të vetme: anglosakson, (gjuhët) indoevropiane, istrorumanishtja, retrorumanishtja, serbokroatishtja etj.

dh) pjesëza ish- përpara emërtimeve të ndryshme: ish-drejtor, ish-komandant, ish-komisar, ish-kryeqyteti, ish-kryetari i Këshillit Popullor të Rrethit..., ish-ministër etj.;

e) emërtimet e përbëra të pikave të horizontit, të formuara prej një fjale të thjeshtë dhe prej një fjale të përbërë: jug-juglindje, jug-jugperëndim, lindje-verilindje, perëndimjugperëndim, veri-verilindje etj.;

ë) emrat e përbërë të krahinave e të fshatrave të vendit tonë, me lidhje bashkërenditëse, ndajshtimore ose me lidhje përkatësie: Ballaj-Vendas, Bardhaj-Reç, Çal-Barzez, Çerkez-Morinë, Çermë-BIçak, Dars-Fshat, Mborje-Drenovë, Nikaj-Mertur, Pezë-Helmës, Rreth-Greth etj.; Gjeçaj-Kodër, Labinot-Fushë, Labinot-Mal, Papër-Sollak, etj., Dushk-Peqin, Fier-Shegan, Fushë-Arrëz, Fushë-Lurë, Fush-Muhur, Krej-Lurë, Kulej-Papër, Lab-Martalloz, Nivicë-Bubar, Toskë-Martalloz, Ujë-Lurth, Zall-Dajt, Zall-Dardhë, Zall-Herr etj.;

f) emrat e përbërë gjeografikë të huaj, edhe kur pjesët përbërëse lidhen midis tyre me një parafjalë, lidhëz ose nyjë: Alma-Ata, Alzas-Lorenë, Amu-Darja, Bab-el-Mandeb, Brest-Litovsk, Buenos-Ajres, Dar-es-Salam, Frankfurt-mbi-Majn, Hong-Kong, Il-dë-Frans, Komsomolsk-mbi-Amur, Kosta-Rika, Kuala-Lumpur, Nju-Delhi, Nju-Jork, Pa-dë-Kale, Port-Artur, Port-Said, Rostov-mbi-Don, San-Francisko, San-Hoze, San-Huan, San-Marino, San-Salvador, Santo-Domingo, Sent-Etien, Sierra-Leone, Sierra-Morena, Sir-Darja, Tel-Aviv, Tian-Shan, Ulan-Bator etj.

Te emërtimet gjeografike, që si pjesë të parë kanë një nyjë të përparme në gjuhët përkatëse, ndërmjet saj dhe pjesës tjetër nuk vihet vizë lidhëse: La Paz, La Plata, La Valeta, Los Anxhelos etj.

g) emrat ose mbiemrat e huaj të personave të përbërë prej dy a më shumë pjesësh: Abu-Ali, Abu-Ali-Ahmet, Fredrik Zholio-Kyri, Ge-Lisak, Ibn- Batuta, Ibn-Rusta, Ibn-Sina, Mak-Donald, Mamin-Sibirjak, Mari-Luizë, Martin Andersen-Neksë, Mendelson-Bartoldi, Rimski-Korsakov, Saltikov- Shedrin, Sen-Sans, Sem-Simon, Sen-Zhyst, Zhan-Zhak Ruso etj.

Shënim 1. Kur midis emrit dhe mbiemrit të një personi të huaj ndodhet një nyjë ose një pjesëz, këto zakonisht shkruhen veç: Antonis van Dajk, Dora d'Istria, Fergus O Konor, Gi dë Mopasan, Leonardo da Vinçi, Lope de Vega, Mahmud al Kazhgari, Miguel de Cervantes, Shon O Kejsi, Vincent van Gog, Zhanë d'Ark etj.

Shënim 2. Pjesët përcaktuese të mbiemrave të personave shkruhen pa vizë lidhëse e pa kllapa: Aleksandër Dyma Biri, Gavril Dara Plaku, Gavril Dara i Riu, Katoni i Ri etj.

Shënim 3. Pjesa -ogllu e emrave të burimit turk shkruhet njësh me emrin vetjak përkatës: Osmanogllu, Pazvanogllu etj.

Shënim 4. Gjymtyrët përbërëse të emrave dhe të mbiemrave kinezë, koreanë, vietnamez e birmanë shkruhen veç e veç, pa vizë në mes: Fan Dinj Fung, Li Sun Sin, Lu Sin, Ngujen Van Troi etj.

gj) numërorët rreshtorë kur vetë numri ose një pjesë e tij shënohet me shifra arabe: klasa e 2-të, kreu i 4-t, e 5-ta A, Kongresi i 6-të, shekulli i 20-të, viti i 29-të i Çlirimit, i 74-ti, i 50-mijëti ose i 50 000-ti, i 200-milionti ose i 200 000 000-ti etj. Po kështu shkruhen: 400-shi, 500-shi, 900-shi, 300 000-shi ose 300-mijëshi etj. Kur numërori rreshtor shkruhet me shifër romake, përdoret pa prapashtesë dhe pa nyjë të përparme: klasa I, Kongresi V, Kreu XVI, viti XXIX i Çlirimit, Gjergj Balsha I, Luigji XIV, Mehmeti II etj.

Shënim. Numërorët rreshtorë që shënojnë shkallët e përgjegjësisë në organizatat shoqërore, në ushtri etj. shkruhen gjithnjë me shkronja e jo me shifra romake: kapiten i parë, piloti i dytë, sekretari i parë i Komitetit të Partisë të ... , sekretari i dytë i Ambasadës etj.

h) emërtimet e përvjetoreve dhe formimet e ngjashme me to, kur numërori shënohet me shifër: 50-vjetori i Pavarësisë; 25-vjetori i themelimit të Partisë; shkolla 8-vjeçare; 15-ditëshi i parë i shtatorit; 30-vjetëshi i parë i shekullit XIX etj.

Por, kur numërori shënohet me shkronja, fjala shkruhet si një e vetme, pa vizë në mes: pesëdhjetëvjetori i Pavarësisë; pesëqindvjetori i vdekjes së Skënderbeut; njëzetepesëvjetori i themelimit të Partisë; shkolla tetëvjeçare; pesëmbëdhjetëditëshi i parë i shtatorit etj.;

i) emërtimet e veçanta të mjeteve teknike, si edhe emërtimet e ngjashme konvencionale, në përbërjen e të cilave hyn edhe një emër i shënuar me shifra: B-52, Boing 707, F-100, Il-18, Gaz-69, Mig-21, T-34, TU-104, U- 2, Apolo-14, Kozmos-130; Plani D-4, Agjenti J-33 etj.
Po kështu shkruhen edhe numrat e telefonave dhe të targave të automjeteve, kur përbëhen nga grupe shifrash p.sh.: 27-51, 25-09, 41-44, 55-70, 55-76; BR 68-65, DR 42-68, ER 50-52, KO 43-93, TR 03-97, UP 05-06-50 etj.;

j) emërtimet e shkurtuara të institucioneve, të zyrave, të ndërmarrjeve, të organizatave etj.; viza lidhëse në këtë rast vihet midis tyre dhe nyjës së prapme ose mbaresës: SMT-ja e Lushnjës, punonjësit e NB-ve, Komiteti Qendror i BRPSH-së, sesioni i 28-të i OKB-së, Shtabi i ABD-së, korrespondentët e ATSH-së, nëpunësit e PTT-së, oxhaku i TEC-it, anëtarët e BRASH-it, rregullorja e FIFA-s etj.;

k) emërtimet e përbëra nga një pjesë e shkurtuar dhe nga një pjesë e plotë; NI-kimike, NI-Performa, NI-Pyjore, NI-Qelqi, NI-Tulla etj.;

l) shkronjat, numrat (kur shkruhen me shifra), pjesët e pandryshueshme të ligjëratës, si edhe elemente që nuk janë pjesë e ligjëratës, kur përdoren si emra dhe marrin tregues të trajtave rasore: a-ja; b-ja; vëru pikat ë-ve; vërë pikën mbi i-në; d-ja është bashkëtingëllore; y-ja është zanore; të gjendet x-i etj.; 1-ja; 2-ja; 3-ja; 7- a; 15-a; kryengritja e 1911-s; ngjarjet e 1924-s; aksionet kryesore gjatë 1943-së; etj.; e-ja, dh-ja, as-i janë lidhëza këpujore; kuptimet e -tar-it si prapashtesë; -ja është prapashtesë zvogëlimi; pse-ja është ndajfolje pyetëse etj.;

ll) Komandat ushtarake të përbëra nga dy ose më shumë pjesë; viza lidhëse vihet në këtë rast midis pjesëve përbërëse të tyre: Para-marsh!, Me vrap-marsh!, Prapa-kthehu!, Gjysmëdjathtaskthehu!, Në vend-numëro!, Skuadër-ndal!, Skuadra, djathas-kthehu!, Në krah-armë!, Pranë këmbës-armë!, Në sup-armë!, Në krahaqafë-armë!, Djathtas-ndero!, Togë-ndal!, Toga-mblidhu!, Bajonetë-drejto!, Bajonetëpërkulë!, Për nder-armë!, Armë-zbraz!, Majtas-eja në radhë!, Largësizmadho!, Rrip-zgjato!, Kompania, në vijë togë-kolonë-mblidhu!, Batalioni, në vijë kompani-kolonë-mblidhu! etj.

§ 69
Shkruhen me vizë të gjatë në mes tyre:

a) emrat e përveçëm që shënojnë caqet e një hapësire gjeografike, si edhe emrat që shënojnë caqe kohore: gara e çiklizmit Tiranë–Elbasan–Korçë; hekurudha Rogozhinë– Fier; kanali Peqin–Kavajë, kanali Vjosë–Levan–Fier; largësia Tokë– Diell; vija ajrore Paris–Tiranë–Pekin; lundrimi Amerikë–Evropë; udhëtimi Francë–Argjentinë–Australi; udhëtimi Tokë–Hënë etj.; periudha janar–maj; periudha pranverë–vjeshtë etj.;

b) numërorët që shënojnë caqet e një hapësire kohore: periudha 1939–1944; tridhjetëvjetori i themelimit të Partisë 8.XI.1941–8.XI.1971; katërqindvjetori i lindjes së Budit 1566–1966; Konferenca e Parë e Studimeve Albanologjike 15–21.XI.1962; Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe 20–25.XI.1972; pesëqindvjetori i vdekjes së Skënderbeut 1468–1968; plani i katërt pesëvjeçar 1966–1970; viti shkollor 1973–1974; letërsia e shekujve XIX–XX etj.;

c) dy a më shumë emra të veçantë ose emërtime, fjalë a togje fjalësh të veçanta të cilat kanë ndërmjet tyre marrëdhënie të ndërsjellta, janë elemente përbërëse të njësive kuptimore shumëpjesëshe ose shënojnë kalime nga një gjendje në një gjendje tjetër: ndeshja Dianmo–Partizani; ndeshja e futbollit Shqipëri–Turqi; takimi Spaski–Fisher; uniteti parti–popull; trekëndëshi mësim–punë prodhuese–edukim fizik dhe ushtarak; marrëdhëniet mall–para–mall;


ç) emrat e bashkautorëve të një vepre: K. Marks–F. Engels; A. Xhuvani–K. Cipo etj.

Gjuha shqipe - Drejtshkrimi