martedì 25 giugno 2013

TAKIME BASHKËTINGËLLORESH

TAKIME BASHKËTINGËLLORESH TAKIMI I T-SË ME SH-NË
§ 31

Te mbiemrat e formuar me prapashtesën -shëm dhe te trajtat e dëshirores, kur sh-ja e prapashtesës takohet me -t-në e temës, shkruhen që të dyja këto bashkëtingëllore (pa u asimiluar në ç): i begatshëm, i çuditshëm, i mërzitshëm, i ndritshëm, i përbotshëm, i përditshëm, i përmotshëm, i përshpirtshëm, i përshtatshëm, i përvitshëm, i sotshëm, i vjetshëm etj.; arritsha, arritsh, arritshim, arritshi, arritshin; ditsha, fjetsha, futsha, goditsha, gjetsha, këputsha, matsha, mbetsha, mbytsha, ndritsha, ngritsha, ngutsha, pritsha, shëtitsha, tretsha, vërtitsha, vërvitsha etj.; por paça, vajça.

Shënim. Në pajtim me shqiptimin e sotëm letrar, shkruhen me ç: i moçëm; fëmija është pesë vjeç, por: para (pas) dhjetë vjetësh.


TAKIMI I G-SË OSE I N-SË ME J-NË
§ 32
Fjalët dhe trajtat e fjalëve me theks në rrokjen e parafundit, tek të cilat takohet g-ja ose n-ja e temës me j-në e prapashtesës a të mbaresës, shkruhen me i dhe jo me j, për të mënjanuar shqiptimin e këtyre dy shkronjave si një tingull i vetëm (gj ose nj): djegie, lagie, shmangie, shtangie; biologe, biologia, filologe, filologia, gjeologe, gjeologia, kirurge kirurgia, pedagoge, pedagogia, pedologe, pedologia, radiologe, radiologia; (unë) lagia, (ti) lagie; (unë) shmangia, (ti) shmangie etj.; anie, dhënie, kundërthënie, kundërvënie, lënie, marrëdhënie, ngrënie, paradhënie, parathënie, pasthënie, qenie, rënie, thënie, zënie etj.; dibrania, indiania, italiania, koreania, partizania, shkodrania etj.

TAKIMI I D-SË, S-SË, T-SË OSE I Z-SË ME H-NË
§ 33

Fjalët e prejardhura ose të përbëra, tek të cilat takohet d-ja, s-ja, tja, ose z-ja me një h që vjen pas tyre, shkruhen pa ndonjë shenjë ndarëse midis pjesëve përbërëse (por ruhet shqiptimi i veçuar i shkronjave të mësipërme): i herëpashershëm, meshollë, moshapje, moshyrje; shtathedhur; brezhumbur, gazhedhëse etj.

Po kështu shkruhen edhe emrat e përveçëm ku ka takime të tilla: Bethoven, Ethem, Mithat etj.

TAKIMI I D-SË ME T-NË
§ 34

Kur në formim fjalësh ose trajtash takohet një d me një t, shkruhen të dyja këto bashkëtingëllore: (i, e) argjentë, (i, e) njëmendtë, (i, e) njëqindtë, (i, e) pesëqindtë, i treqindti etj.; mendtë; ai po e bindte; në e bindtë; po endte; në u gjendtë; lindte; në lindtë djalë; nuk mundte; në mundtë; rendte; në rendtë; shkundte; në shkundtë; tundte; në tundtë etj.

TAKIMI I DY SHKRONJAVE TË NJËJTA
§ 35

Kur në formim fjalësh a trajtash takohen dy shkronja të njëjta, njëra prej të cilave mund të bëjë pjesë në një dyshkronjësh, ato të dyja: kënddrejtë, nënndarje, kundërrevolucionar, kundërreformë, mossulmim, zëvendëssekretar; në arrittë; në mos e godittë; e gjettë e mira; në u mbyttë; ndrittë; në më prittë; në pyettë; në u trettë etj.; i kujdesshëm, passhkrim, i pjesshëm, leshhollë, shpeshherë, mishshitës, veshshkurtër etj.

Shënim 1. Kur takohen shkronjat r me rr dhe l ose ll me ll shkruhet vetëm rr ose ll: përreth; dembellëk, fodullëk, hamallëk, jeshillëk etj.

Shënim 2. Lidhëza pasi (mbasi), e formuar nga pas+si (mbas+si), shkruhet me një s.


Shënim 3. Trajta e vetës së tretë njëjës e së pakryerës dëftore, lidhore e kushtore të foljeve me temë më -t, në përputhje me shqiptimin e sotëm letrar shkruhet me -st dhe jo me -tt: (do të) fliste, (do të) godiste, (do të) maste, (do të) ngjiste, (do të) nuhaste, (do të) paraqiste, (do të) përshtaste, (do të) priste, (do të) shëtiste, (do të) vriste, (do të) zbriste, (do të) zbuste, (do të) zgjaste etj.

Gjuha shqipe - Drejshkrimi i gjuhës shqipe