SHKRIMI I BASHKËTINGËLLORES H
§ 27
Duke u mbështetur në shqiptimin letrar dhe në traditën e shkrimit, shkruhen me h:
a) në fillim të fjalës: ha, habit, halë, hamshor, hamullore, hap, harabel, hardhi, hardhucë, hark, hartë, harr, harroj, hedh, helm, hell, heq, herë, hero, hesht, heshtë, hënë, e hënë, hi, (i, e) hidhur, hije, hikërr, hingëllin, hinkë, hipi, hir, hirrë, hithër, hoje, i hollë, hop, hosten, hov, hu, hua, i huaj, hudhër, humb-as, hundë, hurdhë, hutoj, hyj, etj.
Këtu hyjnë edhe një numër fjalësh të burimit turk: haber, hajat, hajdut, hajmali, hajvan, hak, haliç, hall, hallë, hallkë, hallvë, hamall, hamam, hambar, han, haraç, harar, harem, harxh, hase, hasëll, hasm-i, hasude, hashash, hashure, hata, hatull, hava, havan, hejbe, hem ... hem, hendek, hiç, hile, hise, hordhi, hashaf, huq, hurmë, hyzmet etj.;
b) në fund të fjalës: foljet e tipit deh, fsheh, ftoh, grah, leh, mih, mpreh, ndih, ngreh, nxeh, njoh, rrah, shkreh, shoh etj. në të gjitha trajtat e zgjedhimit të tyre: fsheh, fshehim, fshihni, fshehin; fshihja, fshihje...; (u) fsheha, (u) fshehe... ; fshihem, fshihesh...; fshihesha, fshiheshe...; fshehkam, fshehke...; fshehur etj.;
emrat si ah, gjah, gjynah, krah, moh, pah, pleh, shah, tezgjah, etj. në të gjitha trajtat e tyre: krahu, krahut, krahun, krahët, krahëve, krahësh;
c) në mes të fjalës: trajtat pësore-vetvetore të foljeve me temë më zanore: lahem, lahesh...; lahesha, laheshe...; lahu, lahuni; kthehem, kthehesh...; kthehesha, ktheheshe...; kthehu, kthehuni; bëhem, bëhesh...; bëhesha, bëheshe...; bëhu, bëhuni; fshihem, fshihesh...; fshihesha, fshiheshe...; fshihu, fshihuni; tregohem, tregohesh...; tregohesha, tregoheshe...; tregohu, tregohuni...; mësohem, mësohesh...; mësohesha, mësoheshe...; mësohu, mësohuni...; shtyhem, shtyhesh...; shtyhesha...; shtyheshe...; shtyhy, shtyhuni; përzihem, përzihesh...; përzihesha, përziheshe...; përzihu, përzihuni; ndihem, ndihesh...; ndihesha, ndiheshe...; ndihu, ndihuni etj.
Po kështu shkruhen edhe foljet si dihas, gërhas, luhas, mahnit, nuhas, pohoj, ashtu edhe emrat e mbiemrat si grahmë, krehër, lehonë, i lehtë, llohë, vjehërr, vjehrra. Këtu hyjnë edhe një numër fjalësh të burimit turk: aheng, ahur, bahçe, behar, çehre, duhan, kasaphanë, mahmur, mëhallë, muhabet, muhalebi, muhamedan, nahie, pehlivan, pehriz, qehaja, rehat, sahan, sahat, sehir, spahi, tahmin, tespihe, xhahil, xhevahir, zahire, zeher etj.
Me h shkruhen edhe të gjitha fjalët e formuara prej fjalëve të përfshira në këtë paragraf: hamendje, i hapët, harkëtar, harxhoj, hidhërim, hingëllimë etj.; ftohje, i ftohtë, krahasoj, krehje, i krehur, lehtësi, luhatje, mohoj, ndihmë, ndihmës, ngrehinë, ngrohje, i ngrohtë, ngrohtësi, nuhatje, njohje, njohuri, rrahje, shkrehje etj.; gjahtar, plehroj, shahist etj.
Shënim. Nuk shkruhen me h fjalët arushë, avaz, avlli, eci, esëll, iki, memur, yll, vete - vetja, vetë dhe formimet prej tyre: përvetësoj, vetvete.
Gjuha shqipe - Drejshkrimi i gjuhës shqipe