GRUPE ZANORESH DHE DIFTONGJE
-IE / -JE-
§ 13
Shkruhen me -ie-:
a) emrat, tek të cilët ky grup zanoresh ndiqet nga një bashkëtingëllore e lëngët (l, ll, r) dhe të gjitha fjalët e formuara prej tyre: e diel, diell, miell, qiell, fier etj.; diellor, përmiell, miellëzim, qiellor, fierishtë etj.;
b) foljet, tek të cilat ky grup zanoresh ndiqet nga mbaresa -j: ziej - zien, ziejmë, zieni, ziejnë; zieja, zieje, ziente, zienim, zienit, zienin; ziem, ziet, zien; ziekam, zieke...; (kam) zier; përziej - përzien, përziejmë, përzieni, përziejnë; përzieja, përzieje, përziente, përzienim, përzienit, përzienin; përziem, përziet, përzien; përziekam, përzieke...; (kam) përzier; ndiej - ndien, ndiejmë, ndieni, ndiejnë; ndieja, ndieje, ndiente, ndienim, ndienit, ndiejnë; ndiem, ndiet; ndiekam, ndieke...; (kam) ndier*.
Trajtat e njëjsit të së kryerës së thjeshtë të dëftores dhe trajtat e dëshirores së këtyre foljeve shkruhen me -je-: zjeva, zjeve, zjeu; zjefsha, zjefsh, zjeftë, zjefshim, zjefshi, zjefshin; përzjeve, përzjeve, përzjeu; përzjefsha, përzjefsh, përzjeftë, përzjefshim, përzjefshi, përzjefshin; ndjeva, ndjeve, ndjeu; ndjefsha, ndjefsh, ndjeftë, ndjefshim, ndjefshi, ndjefshin.
Trajtat pësore-vetvetore të së tashmes dhe të së pakryerës të këtyre foljeve shkruhen me -i-: zihem, zihet, zihen etj.; zihesha, zihej, ziheshin etj.; përzihem, përzihet, përzihen etj.; përzihesha, përziheshe, përziheshit etj.; ndihem, ndihet, ndihen etj.; ndihesha, ndihej, ndiheshim etj.
*) Shkruhen me -je- në të gjitha trajtat folja ndjej (ia falë fajin dikujt), si edhe formimet prej saj: ndjesë, i ndjeri.
Shënim. Të gjitha fjalët e formuara nga folja ndiej shkruhen me -je: i ndjeshëm, ndjesi, ndjenjë, parandjenjë etj.
c) foljet, te trajta përfaqësuese e të cilave ky grup zanoresh ndodhet në rrokje të hapur: bie, biem bien; shpie, shpiem, shpien; shtie, shtiem, shtien.
Në vetën e tretë njëjës të lidhores, në urdhëroren njëjës dhe në trajtat e shumësit të kësaj mënyre, kur bashkohen me trajtat e shkurtra të përemrit vetor, këto folje shkruhen me -j-: të bjerë, të shpjerë, të shtjerë; bjer, shpjer, shtjer; bjermëni, bjeruni, shpjerini, shtjeruni etj.
Në vetën e dytë shumës të së tashmes dëftore, lidhore dhe urdhërore, në të pakryerën e dëftores dhe të lidhores, si edhe në trajtat pësore-vetvetore, këto folje shkruhen me -i-: (të) bini, (të) shpini, (të) shtini, (të) bija, (të) bije, (të) binte; (të) shpija, (të) shpije, (të) shpinte; (të) shtija, (të) shtije, (të) shtinte; (të) bihet, (të) shpihet, (të) shtihet; (të) bihen, (të) shpihen, (të) shtihen; (të) bihej, (të) shpihej, (të) shtihej; (të) biheshin, (të) shpiheshin, (të) shtiheshin etj.
§ 14
Shkruhen me -je- foljet me temë më -l, -ll, -rr njësoj si edhe foljet e tjera të këtij tipi me temë më bashkëtingëllore (si rrjedh, djeg, pjek, rrjep); me -je- shkruhen edhe të gjitha fjalët e formuara prej tyre: mjel, vjel etj.; mbëshjell, mbjell, përcjell, pjell, sjell, shtjell, vjell etj.; nxjerr, tjerr, çjerr etj.; mjelëse, pjellor, sjellje, ujësjellës etj.; tjerrje etj., po ashtu si djegës, bukëpjekës etj. Këto folje në vetën e dytë shumës të së tashmes dhe në të gjitha vetat e së pakryerës së dëftores e të lidhores, në urdhëroren dhe në trajtat pësore-vetvetore shkruhen me -i-: (të) vilni; (të) vilja, (të) vilje...; vil; (të) vilet, (të) vilen; (të) vilej, (të) vileshin etj.; (të) përcillni; (të) përcillja, (të) përcillje...; përcill; (të) përcillesh...; (të) përcillesha, (të) përcilleshe etj.; (të) nxirrni; (të) nxirrja, (të) nxirrje...; nxirr; (të) nxirrem, (të) nxirresh; të nxirrej, të nxirreshin etj.
Gjuha shqipe - Drejtshkrimi