martedì 25 giugno 2013

SH - ZH - Ç - S -Z

SH / ZH / Ç NISTORE
§ 23
Fjalët me sh / zh / ç nistore shkruhen kështu:

a) me sh-, kur kjo ndiqet nga një bashkëtingëllore e shurdhët (f, k, p, q, t, th etj.): shfajësoj, shfaq, shfaqje, shfaros, shfryj, shfrytëzoj; shkallmoj, shkarkoj, shkatërroj, (i, e) shkathët, shkëlqej, (i, e) shkëlqyer, shkëmbej, shkëput, shkombëtarizoj, shkoq, shkreh, shkrep, (i, e) shkrifët, shkrij, shkujdesem, shkul; shpalos, shpall, shpallje, shpërblim, shpërdorim, shpërndaj, shpjegoj, shpjegim, shpif, shpikje, shpoj, shporr, shprish, shpronësoj, shpyllëzim; shqep, shqetësoj, (i, e) shquar; shtjelloj, shtrydh; shthur, shthurje etj.;

b) me zh-, kur kjo ndiqet nga një bashkëtingëllore e zëshme (b, d, g, gj, v): zhbart, zhbëj, zhbiroj, zhbllokoj; zhdavarit, zhdëmtoj, zhdoganoj, zhdredh, (i, e) zhdrejtë, zhduk; zhgënjej, zhgënjim, zhgërryej; zhgjakësohem, zhgjandërr; zhvat, zhvendos, zhvesh, zhvilloj, zhvillim, zhvleftësim, zhvoshk etj.


Shënim. Përemri ç tek të gjitha fjalët e formuara me pjesëmarrjen e tij, shkruhet kështu, pavarësisht nga bashkëtingëllorja që e pason: çdo, çdokush, çdonjëri, çfarë, çfarëdo, i çfarëdoshëm, çka, diçka, gjithçka.

c) me ç-, kur kjo ndiqet nga një zanore ose nga një bashkëtingëllore e tingullit (l, ll, r, rr, m, n, nj, j): çarmtatos, çarmatim; çorganizoj, çorganizim, çorientoj, çorientim etj. çliroj, çlirim, çlirimtar, çlodhem, çlodhje; çregjistroj, çregjistrim; çrregulloj, çrregullim, (i, e) çrregullt, çrrënjosje; çmallem, çmend, çmendinë, (i, e) çmendur, çmësohem, çmos; çnderoj, çngjyros; çnjerëzor; çjerr etj.

Shënim. Shkruhen me sh- fjalët shmang, shlyej, shndërroj, shndrit dhe ato që formohen prej tyre.

S, Z NISTORE
§ 24

Fjalët me s, z nistore, të ndjekur nga një bashkëtingëllore (disa prej të cilave shqiptohen ngandonjëherë edhe me c ose x), shkruhen kështu:

a) me s-, kur kjo ndiqet nga një bashkëtingëllore e shurdhët ose nga një bashkëtingëllore e tingullt (m, n, l): sfakë, sfilit, sfrat, sfungjer, sfurk; skalit, skërfyell, skërkë, skërmit, skuq; spërkat, spërndrit; sqepar, squfur etj.; smag, smalt, smaltoj, smat, smatos, smerald, smeril, smilar, smilat, smilatës, smirë, smirëzi, smiroj, smoking, smuqth-i, snob, snobizëm, slogan etj.;


b) me z-, kur kjo ndiqet nga një bashkëtingëllore e zëshme: zbardh, zbaticë, zbath, zbavit, zbërthej, zbokth, zbraz, zbres, zbritje, zbukuroj, zbut; zdrukth; zgalem, zgavër, zgërbonjë, zgërdhihem, zgrip; zgjat, zgjedh, zgjyrë; zvarit, zverdhem, zvogëloj etj. Në pajtim me shqiptimin më të përhapur, me z- shkruhen edhe foljet zmadhoj, zmbraps, si edhe fjalët e formuara prej tyre.

Gjuha shqipe - Drejtshkrimi